Pesë të vdekur, 12 të plagosur nga bomba në hotelin e luksit në Pakistan (fotot)

22/04/2021 17:45

Pesë njerëz janë vrarë dhe 12 janë plagosur nga një shpërthim vetëvrasës në një hotel luksi në Pakistan.

Talibanët e Pakistanit morën përgjegjësinë për shpërthimin në parkingun e hotelit me pesë yje Serena Hotel, në jugperëndim të Quetta.

Një zëdhënës i grupit militant Taliban e përshkruante sulmin si shpërthim vetëvrasës të një makine të mbushur me eksplozivë.

Kryeministri Imran Khan e quajti bombën një “akt dinak terrorizmi”.

Pamjet televizive në Pakistan tregonin ndërtesën e hotelit dhe makinat pranë saj të ndezura në flakë, teksa grupe emergjencës po punonin në vendngjarje.

Policia tha se grupet e shpëtimit kishin shpërndarë të plagosurit në spitalet pranë vendit. Një oficer policie ishte mes të vrarëve.

Rrjeti BBC tha se objektivi i sulmit besohet se ka qenë ambasadori kinez në Pakistan, Nong Rong. Ai po qëndronte në hotel por nuk ka qenë aty në momentin e shpërthimit, tha ministri i brendshëm i Pakistanit, Sheikh Rashid Ahmad.

Arbab Kamran Kasi, doktor në spitalin kryesor të Quetta, tha se dymbëdhjetë të plagosur ishin sjellë aty.

Hoteli Serena është i vetmi hotel luksi në qytet dhe frekuentohet nga të huajt.

Provinca jugperëndimore e Baluchistan është skenë e militantizmit të gjatë mes grupeve rebele të Baluchistan që kërkojnë pavarësi, si dhe e grupeve Talibane.

 

FOTO GALERI
1/6
Pesë njerëz janë vrarë dhe 12 janë plagosur nga një shpërthim vetëvrasës në Pakistan.

Top Channel