Studiuesit thanë sot se ‘Inteligjenca Artificiale’ ka treguar për herë të parë se pjesë të mbishkrimeve të lashta të Detit të Vdekur, janë krijuar nga shkrues profesionistë.
Testet u kryen në tekstin me të gjatë të mbishkrimeve, të njohur si Mbishkrimi i Madh i Isaiah.
U zbulua se me shumë gjasa, dy individë të panjohur kishin kopjuar fjalët duke përdorur shkrim dore thuajse identik.
Mbishkrimet janë pjesë e versionit më të lashtë të Biblës, dhe janë kthyer në objekt adhurimi shkencor që prej zbulimit të tyre rreth 70 vjet më parë.
Ato u gjetën për herë të parë nga një Beduin në një shpellë pranë Qumran në Detin e Vdekur, në atë që është sot Bregu Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli.
Dorëshkrimet janë në gjuhët ‘armaike’, greke dhe ‘hebru’, dhe besohet të datojnë prej shekullit të tretë para erës sonë.
Mbishkrimi i Isaiah Scroll është një nga 950 tekste të ndryshme të zbuluara në vitet 1940-të e 50-të. Tipari unik i tyre është fakti që 54 kolonat janë të ndara në dy gjysma, të shkruara në një stil thuajse uniform.
Studiues të Universitetit të Groningen në Holandë ekzaminuan mbishkrimet duke përdorur inteligjencë artificiale të njohjes së motivit të shkrimit.
“Gjurmë të bojës së lashtë të shkrimit lidhen drejtpërdrejt me lëvizjet specifike të muskujve të një personi të caktuar”, shkruanin ata, duke argumentuar se në to kishin punuar më shumë se një shkrues profesionist.
“Skenari më i mundshëm është ai i dy shkruesve që kanë punuar ngushtë me njëri-tjetrin, teksa në të njëjtën kohë ruanin një stil shkrimi, dhe gjithashtu shprehnin individualitetin e tyre”.
Studiuesit sugjeronin se shkruesit mund të kenë kryer të njëjtin arsim në shkollë apo familje, si për shembull “një baba që i mëson të shkruajë të birit”.
Ata shtuan se aftësitë e tyre për të imituar shkrimin e njëri-tjetrit ishin aq të mira sa studiuesit deri tani nuk kishin pikasur dallimin.
Top Channel