Greqi/ Lehtësohen masat për Pashkë, por Mitsotakis u kërkon grekëve që të mos udhëtojnë për festë

22/04/2021 01:52

Me një mesazh televiziv drejtuar gjithë qytetareve kryeministri Mitsotakis ka dhënë një pasqyrë të lehtësimit të masave në ditët në vijim duke theksuar se qëllimi kryesor i qeverisë së tij është një Pashkë e sigurt për qytetarët dhe një verë e lirë për ta.

‘Kam thënë që qëllimi ynë është një Pashkë e sigurt dhe një verë e lirë. Por njëra nuk mund të dëmtojë tjetren. Prandaj nuk duhet të udhëtojmë për Pashkë. Athina dhe qytetet e tjera të mëdha kanë ende shumë raste me COVID. Lëvizja masive mbart rrezikun e përhapjes së virus kudo’- tha Mitsotakis.

Sipas kreut të qeverisë pandemia në vend duket se po stabilizohet pavarësisht shifrave ende të larta të vdekjeve, të të prekurve dhe të të intubuarve, por ai ka shprehur optimizmin se vaksinimet do ndryshojnë çdo gjë si dhe faktin që shumica e atyre që hyjnë në dhomat e intubimit janë të pavaksinuar.

Me kusht që të mos ketë një rritje tjetër të infeksioneve, do ndjekim një afat kohor me tre pika referimi ka thene Mitsotakis:
‘Të hënën, në 3 maj, do të hapen restorantet me tryeza jashtë dhe ora policore do të fillojë në 11 të mbrëmjes. Së dyti, në 10 maj, do të rihapen shkollat fillore dhe të mesme. Së treti, të shtunën, në 15 maj, do të rihapet turizmi’- vijoi Mitsotakis.

Sipas Mitsotakis hapja e gjithë këtyre veprimtarive do tu nënshtrohet rregullave të parashikuara si dhe testeve të nënpunësve, mësuesve e nxënësve. Ndërkaq ai ka dhënë edhe lajmin se pas hapjes se platformave të vaksinimeve për moshat nga 50-59 gjatë kësaj jave, nga e marta që vjen hapet edhe platforma për qytetarët e moshave nga 30-39 vjeç me vaksinën Astra Zeneca, pasi ka shumë vaksina në dispozicion nga kjo kompani.

Ndërsa ministri i Shëndetsisë ka bërë me dije edhe lehtësimin apo edhe masat e reja gjatë javës së Madhe të Pashkëve. Kishat do të jenë të hapura për besimtarët që do të marrin pjesë në ceremonitë brenda tyre sipas rregullave dhe duke mbajtur maska dyshe.

Ora policore do të fillojë në 10 të mbrëmjes, ndërsa në tryezën e Pashkës do të lejohen deri në 12 persona. Lehtësimi i masave në Greqi vjen ndërsa numri i vdekjeve është përsëri i lartë ,86 në 24 orët e fundit, të intubuarit janë mbi 830, ndërsa edhe rastet e të prekurve janë përsëri mbi 3000.

Top Channel