Fryn ere konflikti, Izraeli nis ushtrinë drejt Lartësive Golan

22/04/2021 17:33

Pas sulmit me raketa nga Siria, Izraeli ka dislokuar njësi ushtarake topa artilerie në lartësitë Golan. Pamjet filmike treguan pozicionimin e trupave në afërsi të Moshav Sha’al.

Goditja me raketat që përfunduan pranë një reaktori bërthamor, erdhi në një kohë përshkallëzimi të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit që premton të hakmerret pas atij qe e cilësoi si akt sabotazhi në centralin e tij bërthamor të Natanzit.

Për një kohë të gjatë, Siria ka qenë kundërshtari më i rrezikshëm ushtarak i Izraelit. Por me kolapsin e sistemit shtetëror sirian dhe kaosit që përfshiu vendin pas luftës së gjatë civile, vëmendja e shtetit hebre u kthye më shumë nga Irani që po përpiqet të zgjerojë kufijtë e ndikimit të tij në rajon.

Lartësitë Golan, Izraeli i mori nën kontroll nga Siria gjatë luftës së vitit 1967. Njohja e këtij territori si pjesë e shtetit hebre ishte një nga vendimet e ish presidentit amerikan, Donald Trump, diçka që u përshkrua asokohe nga zyrtarë të administratës së tij si lëvizje me rëndësi historike e thjesht një njohje e realitetit.

Aneksimi i lartësive Golan sakaq nuk është njohur ndërkombëtarisht; kjo tokë konsiderohet si e pushtuar, por jo një zonë mbi të cilën Izraeli gëzon sovranitet.

Top Channel