EMA: Raste të rralla të mpiksjeve në lidhje me vaksinën “Johnson and Johnson”

21/04/2021 03:36

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka arritur në përfundimin se formimi i mpiksjeve të pazakonta të gjakut duhet të renditet si një efekt anësor shumë i rrallë i vaksinës së kompanisë “Johnson and Johnson” kundër COVID-19.

“Kombinimi i raportuar i mpiksjes së gjakut dhe niveleve të ulëta të trombociteve është shumë i rrallë dhe përfitimet e përgjithshme të vaksinës kundërCOVID-19 “Johnson and Johnson” në parandalimin e sëmundjes tejkalojnë rrezikun e efekteve anësore”, tha EMA.

EMA deklaron se deri më tani, vaksina “Johnson and Johnson” është marrë nga mbi 7 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, dhe se të gjitha raportet në dispozicion për shfaqjen e mpiksjes së gjakut janë ekzaminuar, përfshirë tetë raste nga Shtetet e Bashkuara, njëra prej të cilave ishte fatale.

“Të gjitha rastet kanë ndodhur te njerëzit nën moshën 60-vjeç brenda tri javësh pas vaksinimit, dhe shumica te gratë. Bazuar në provat e disponueshme aktualisht, faktorët specifikë të rrezikut nuk janë konfirmuar,” tha EMA.

Sipas EMA, mpiksjet e gjakut ndodhën kryesisht në vende të pazakonta, të tilla si venat në tru, stomak dhe në arterie dhe se “raste shumë të ngjashme” ndodhën me vaksinën e zhvilluar nga AstraZeneca.

Top Channel