Banorët e Magrebit, mbështetur në librin e parashikimeve, besojnë se myslimanët do të bëjnë një sulm të suksesshëm kundër të krishterëve dhe do të pushtojnë tokat e të krishterëve evropianë përtej detit. Kjo, thuhet, do të ndodhë nga deti.
IBN KHALDUN, HISTORIAN ARAB I SHEKULLIT XIV
Perandoritë e Detit/ Rrethimi i Maltës, Beteja e Lepantos dhe Lufta për qendrën e botës,
është një histori me ngjyra e ndodhi të jashtëzakonshme dhe ofron një kontekst thelbësor rreth përplasjes sonë të qytetërimeve.
Për krishtërimin, osmanët, perandoria e të cilëve ishte shumetnike, ishin gjithnjë thjesht turq, “armiqtë më të egër të emrit të Krishtit”. Evropa Perëndimore e shihte këtë rivalitet si burimin e luftës përfundimtare dhe e përjetonte si një traumë, një luftë psikike kundër fuqive të errësirës. Në Vatikan dinin për ekzistencën e hartës së Ptolemeut dhe e përfytyronin si shabllonin për pushtimet osmane, ndërsa skenën e Pallatit Topkapi, lart mbi Bosfor, e imagjinonin në detaje torturuese. Figura e paqartë e sulltanit, Turkut të Madh, me çallmë dhe kaftan, hundëshkabë dhe gjenetikisht mizor, rri ulur mes luksit barbar të sallës së tij të mbuluar me pllaka, duke studiuar rrugët detare që të çonin në Perëndim. Ai nuk mendon për asgjë tjetër, veç shkatërrimit të krishterimit. Për Papa Leonin X, në vitin 1517, kërcënimi i turqve ishte po aq pranë sa edhe fryma e tij. “Ai ka përditë në dorë një përshkrim dhe një hartë me ngjyra të brigjeve të Italisë”, – shkroi ai duke u dridhur. “Ai nuk kujdeset për asgjë tjetër, përveçse për të shtuar artilerinë, për të ndërtuar anije dhe për të mbikëqyrur gjithë këto dete dhe ishuj të Evropës.” Për osmanët dhe aleatët e tyre afrikano-veriorë ishte koha e shpagimit për kryqëzatat, mundësia për të sprapsur rrjedhën e pushtimeve dhe kontrollin e tregtisë.
Top Channel