Rusia ndalon fluturimet mbi pjesë të Krimesë dhe Detit të Zi

20/04/2021 17:18

Sipas Njoftimit për Avionet (NOTAM), Rusia përkohësisht ka kufizuar fluturimet e aviacionit mbi pjesë të Krimesë dhe Detit të Zi.

“Zona është shpallur përkohësisht e rrezikshme për fluturimet e avionëve”, tha dokumenti i NOTAM-it.

Zona e kufizimit të fluturimit përfshin disa zona mbi pjesën jugore të Krimesë, përkatësisht nga Sevastopol-i deri në Feodosia, ujërat territoriale ngjitur me bregdetin jugor të Krimesë, si dhe një pjesë të ujërave ndërkombëtare të Detit të Zi.

Më 14 prill, Rusia njoftoi pezullimin e mundësisë së kalimit të anijeve të huaja luftarake nëpër ujërat e saj territoriale në Detin e Zi nga 24 prilli deri më 31 tetor.

Masa erdhi një ditë pasi ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, tha se vendi i tij “po merr masa në përgjigje të kërcënimeve nga NATO”.

Në një deklaratë tjetër, zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Ryabkov, shpjegoi se kufizimet vlejnë për anijet luftarake dhe jo për anijet tregtare dhe civile.

Duke iu përgjigjur protestës nga Kievi, e cila kërkoi anulimin e kufizimeve, zv/ministri Ryabkov tha se nuk u vendosën kufizime për përdorimin e porteve të Ukrainës në Detin Azov dhe për tregtinë e saj dhe transportin civil në rajon.

Por Departmenti i Shtetit i SHBA-së masën e Rusisë e cilësoi si “një përshkallëzim”.

Konflikti në juglindje të Ukrainës është përshkallëzuar javët e fundit. Kievi dhe separistët e mbështetur nga Rusia akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.

Në javët e fundit, Rusia ka mbledhur forca të gatshme për luftim pranë kufirit ukrainas, që konsiderohet si masa më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.

Top Channel