Rëndohet situata, ambasadori amerikan largohet nga Moska

20/04/2021 14:19

Në mesin e përshkallëzimit të tensioneve mes Washingtonit dhe Moskës, ambasadori i SHBA-së në Rusi, John Sullivan, njoftoi se do të  kthehet në Shtetet e Bashkuara për konsultime.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi për sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve ndaj ushtarëve amerikanë në Afganistan. Edhe disa çështje tjera kanë ndikuar në tensionet mes dy vendeve siç është: burgosja dhe përkeqësimi i shëndetit të kritikut të Kremlinit, Alekandar Navalny, por në pikën e vlimit situatën e çoi dërgimi i forcave shtesë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën si dhe akuzat e Çekisë për përfshirjen e Rusisë në një shpërthim vdekjeprurës në një depo municionesh në 2014.

“Besoj se është e rëndësishme për mua të flas drejtpërdrejt me kolegët e mi të rinj në administratën e Bidenit për gjendjen aktuale të marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, ka deklaruar Sullivan i cituar nga REL.

Njoftimi i tij erdhi pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në fillim të kësaj jave tha se ndihmësi i lartë i politikës së jashtme të Putinit, Yury Ushakov, kishte rekomanduar që diplomati i lartë të kthehej në Uashington për “konsultime serioze”.

I dërguari i Rusisë në Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar u kthye në Moskë për konsultime pasi Biden deklaroi që ai besonte se presidenti rus Putin është një vrasës.

Top Channel