Franca, vendi i parë i BE që teston çertifikatat e udhëtimit Covid-19 (fotot)

20/04/2021 18:43

Franca është bërë vendi i parë i Bashkimit Evropian që ka nisur testimet e çertifikatave dixhitale të udhëtimit të koronavirusit, si pjesë e skemës evropiane që Brukseli shpreson të bëjë që njerëzit të udhëtojnë lirshëm nëpër bllok deri në verë.

Aplikacioni dixhital francez ‘TousAntiCovid’, pjesë e programit të gjurmimit në vend, është përditësuar për regjistrimin e rezultateve negative të Covid-19 për udhëtarët, teksa është instaluar dhe po testohet për fluturimet drejt ishullit Corsica dhe territore të tjera franceze jashtë vendit.

Programi do të zgjerohet për të përfshirë çertifikatat e vaksinimit, shkruan e përditshmja ‘Le Monde’, dhe më vonë pritet të përdoret për evente publike si koncerte, festivale e panaire tregtare, por jo për bare e restorante, thanë zyrtarët.

Testimet franceze janë pjesë e një sistemi evropian “të përforcuar, konsoliduar e standardizuar” tha ministri i tranzicionit dixhital Cédric O, teksa bisedimet kanë nisur me disa vende për njohjen e plotë.

Komisioneri evropian i drejtësisë Didier Reynders, tha javën e kaluar se “çertifikata dixhitale” do të jetë operacionale prej 21 qershorit, pasi sipas tij “është një prioritet për vendet e Evropës jugore ekonomia e të cilave është shkatërruar nga koronavirusi”.

Programi qëllimisht nuk është quajtur “pasaporta e vaksinës” për të mos diskriminuar njerëzit të cilët nuk kanë mundësinë e injeksionit. Brukseli thotë se aplikacioni do të lehtësojë udhëtimin, por nuk duhet të bëhet parakusht për lëvizjen e lirë.

Çertifikata do të bëjë të mundur që udhëtarët të mos detyrohen të hyjnë në karantinë, duke regjistruar në celularët e tyre provat se janë të vaksinuar, kanë rezultuar negativë së fundmi, apo se kanë anti-trupa pas rekuperimit nga Covid-19.

France, njerëzit që bëjnë një test koronavirusi marrin akses në një dokument shtetëror online që mund të shkarkohet ose printohet në aplikacionin TousAntiCovid.

Të tjera vende të BE kanë nisur sisteme të ngjashme, duke u zotuar se do të respektojnë ligjet e mbrojtjes së të dhënave për qytetarët.

Danimarka nisi javën e shkuar testimin e sistemit të saj Coronapas, për njerëzit që janë vaksinuar, kanë testuar pozitivë 2 deri në 12 javë më parë, ose negativë, në 72 orët e fundit.

Sistemi danez përdoret aktualisht për akses në biznese ‘jo-esenciale’ si floktore, sallone bukurie e autoshkolla, por pritet të zgjerohet duke përfshirë dhe muzeumet, teatrot, kinematë e restorantet prej 6 majit.

FOTO GALERI
2/3
Aplikacioni dixhital francez ‘TousAntiCovid’, pjesë e programit të gjurmimit në vend, është përditësuar për regjistrimin e rezultateve negative të Covid-19 për udhëtarët

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA