Pesë të plagosur në Louisiana, sulmi i tretë masiv brenda 24 orëve në SHBA (fotot)

19/04/2021 16:28

Pesë njerëz u shtruan mbrëmë në spital pasi u qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje në Shreveport, Louisiana.

Autoritetet i përshkruanin plagët si jo-kërcënuese për jetën dhe shtuan se sulmuesi qëlloi nga një makinë e bardhë Ford.

Incidenti vjen mes një debati të ashpër për lejet e armëve në SHBA, pas incidentit të javës së shkuar kur një sulmues vrau tetë njerëz dhe plagosi disa të tjerë në një impjant të kompanisë FedEx në Indianapolis para se të vriste veten.

Në incidentin e të dielës, katër viktimat u qëlluan jashtë një dyqani në rrugen Hearne Avenue, ndërsa një person ishte brenda dyqanit.

Një zëdhënës i policisë tha: “Ne u përgjigjëm ndaj një bllokimi të trafikut kur më pas u dëgjuan të shtënat e armëve”.

Të paktën pesë njerëz u dërguan në spitalin e Ochsners.

Rrjeti vendas Shreveport-Bossier tha së një nga viktimat ishte plagosur në kokë ndërsa të tjerët kishin disa plagë armësh.

Më herët tre miq ishin vrarë dhe dy mbetën të plagosur në një bar në Wisconsin, në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Dy nga të qëlluarit vdiqën në vend ndërsa një i tretë humbi jetën nga plagët në spital.

FOTO GALERI
1/7
Pesë njerëz u shtruan mbrëmë në spital pasi u qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje në Shreveport, Louisiana.

Top Channel