Autoritetet në Panama, kanë interceptuar një trafikant të pazakontë, një mace të bardhë me pellush, me një pako drogë të lidhur në trup, ndërsa përpiqej të hynte në burg. Kriminelja e pazakontë u ndalua para burgut Nueva Esperanza, në veri të kryeqytetit, Panama City, të premten.
“Kafsha kishte një shall të lidhur në qafë që mbante paketa me pluhur të bardhë, gjethe dhe një lëndë vajore”, tha Andres Gutierres, shef i sistemit penitenciar në Panama. Pas kontrollit u konstatua kokainë, krak dhe marijuanë, sipas një tjetër zyrtari.
Kjo në fakt nuk është hera e parë që tentohet një krim i tillë.
Të burgosurit përdorin ushqimin për të joshur kafshët pasi krijesa të jetë ngarkuar me drogën nga njerëz të tjerë jashtë. Zyra e prokurorit tha në tëitter se kishte hapur një hetim për përdorimin e kafshëve për trafikun e paligjshëm të substancave në burgun Nueva Esperanza. Ajo postoi fotot e drogës dhe macen të kapur në flagrancë. Kafsha do të çohet tani në një qendër adoptimi.
Panamaja ka rreth 18 mijë të burgosur në 23 burgje, pjesa më e madhe e të cilëve të mbipopulluar. Edhe më herët, autoritetet janë ndeshur me përpjekje për të futur drogë në burg, duke përdorur pëllumbat e madje edhe dronët.
Top Channel