BE sheh përparim në bisedimet bërthamore të Iranit

19/04/2021 22:22

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore iraniane kanë parë përparim.

“Ekziston një vullnet i mirë te të dy palët për të arritur një marrëveshje”, u tha Borrell gazetarëve pas një video-konference të kryediplomatëve të vendeve të BE-së, duke iu referuar bisedave të tij të fundit me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken dhe kryediplomatit iranian, Mohammad Javad Zarif.

Gjatë bisedimeve, shtoi Borrell, partnerët “janë zhvendosur nga çështjet e përgjithshme në çështjet më të përqendruar, që janë nga njëra anë heqja e sanksioneve dhe nga ana tjetër zbatimi bërthamor”.

Ai tha se vendimi i SHBA-së për të rifilluar negociatat meqenëse hapi dyert për Iranin për t’u kthyer në zbatimin e plotë të marrëveshjes bërthamore e bën “botën një vend më të sigurt”.

Diplomacia e BE-së ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të rikthyer Iranin dhe SHBA-në në tryezën e negociatave që kur tensionet u rritën midis dy vendeve.

Marrëveshja bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA, Kina, Rusia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe BE-ja.

Sipas marrëveshjes, Teherani u zotua se do të kufizojë aktivitetin bërthamor dhe në këmbim fuqitë botërore u pajtuan të heqin sanksionet e tyre ekonomike ndaj Iranit.

Por në vitin 2018, SHBA nën ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione mbi Iranin, duke çuar në mos përmbushjen e obligimeve të marrëveshjes nga Teherani.

Top Channel