Ankaraja thirrje SHBA-së: Mos ndërhyni në raportet tona me Greqinë

19/04/2021 13:35

Përpos përplasjes me ministrin e jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, të cilën shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias u përpoq më pas ta zbuste me një ftesë për homologun për një takim në Athinë, intervista me tone të ulura që ai dha në mediat greke, nxori në pak një zhvillim shqetësues për Ankaranë.

Dendias informoi se Greqia dhe Shtetet e Bashkuara po negociojnë për rinovimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Ndërsjellë të Mbrojtjes (MDCA) dhe planet janë që ajo të firmoset përpara fundit të kësaj vere.“Duhet të theksoj gjithashtu se përtej detajeve teknike të rinovimit të ujdisë, rëndësia e saj qëndron në rolin strategjik që Shtetet e Bashkuara i atribuojnë Greqisë. Dhe kjo është shumë më e madhe se shumë çështje që do të përfshihen në marrëveshjen e rinovuar“, deklaroi ministri i jashtëm grek.

Edhe pse ai nuk dha detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes së rishikuar, ka shumë të ngjarë që ajo ta përmirësojë akoma më tej bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, një zhvillim të cilin Turqia po e ndjek me vëmendje prej disa kohësh. Disa ekspertë turq, të cituar nga mediat vendase, argumentojnë se SHBA po kalon nga Turqia tek Greqia si partner ushtarak rajonal,e kjo për shkak të fërkimeve në rritje me Ankaranë. Së bashku me shitjet ushtarake miliarda dollarëshe, Amerika besohet se po planifikon të dërgojë në Greqi edhe dhjetëra helikopterë luftarake e qindra tanke.

Këtë trend të ri, në kryeqytetin turk po e vëzhgojnë me kujdes. Çavuşoğlu pohoi së fundi se e kishte ngritur këtë shqetësim gjatë takimit me sekretarin amerikane të shtetit, Anthony Blinken, të cilit I kujtoi se Shtetet e Bashkuara deri tani kanë ruajtur një marrëdhënie të balancuar, dhe se kjo gjë, nuk duhet të ndryshojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA