Balla takim me banorët në Lunik: Të rinjtë që kthehen nga emigracioni dhe hapin bujtina përfitojnë 5000 euro

17/04/2021 15:21

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me banorët e Lunikut në Librazhd.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh se çdo i ri që kthehet nga emigracioni dhe përshtat shtëpinë në bujtinë, do të përfitojë 5000 euro.

“Të dashur motra e vëllezër, fëmijë të Librazhdit dhe ne veçanti të fshatit tim Lunik, unë dua tu them të gjithëve që ky është mandati më i rëndësishm i gjithë luftës që ka bërë Edi Rama në këto 8 vite për të çuar përpara disa reforma të rëndësishme. Të mos harrojmë që e gjetëm Shqipërinë në kushtet kur ishin prerë shirita, ishin inauguruar rrugë, por asnjë faturë nuk ishte paguar. Faturat i paguam ne mbrapa në gjitha. 700 milion dollarë na u desh të paguanim gjatë 2015-2016. Duhet të kuptojmë që ne kemi pasur përballë ca beteja shumë të rëndësishme.

Tani siç duket qartë po shkojmë në fund të luftës me pandeminë. Falë kryeministrit Rama ne jemi një ndër vendet e pakta në rajon që kemi siguruar sasi të mëdha të vaksinave. Tani me përmirësimin e infrastrukturës ne duhet ta kthejmë zonën tonë në një destinacion. Ne do t’i japim 5000 euro çdo djali të Lunikut që kthehet nga emigracioni dhe që do të përshtasë shtëpinë e tij në një bujtinë.”, tha Balla.

Ai theksoi se falë qeverisë sot jemi në kushtet që po shkohet drejt fundit të pandemisë.

“Kemi ende shumë punë për të bërë dhe ajo që na pret në këto 4 vite është më e madhe sesa ajo që kemi bërë deri tani. Sepse edhe vëmendja e qevërisë ndaj bashkisë Librazhd do të jetë shumë e madhe se kjo që ka qene. Por ama meqë jemi në zgjedhje, jam i gatshëm të përballem me këto nga ata të Partisë Demokratike. Le të më thonë sa punë janë bërë këto 7 vite e gjysëm krahasur me 8 vitet e tyre. Nuk po flas për bashkinë Librazhd, se ajo ka ndryshuar tërësisht. Nëse s’do kishte qenë pandemia ne do të kishim qenë shumë më përpara. Sot jemi në kushtet që besoj po shkojmë drejt fundit, 150-200 raste në ditë është një shifër normale krahasuar me ato që ishin.

Ne do të vazhdojmë të investojmë në rrjetin e shpërndarjes së energjise elektrike. Kemi bërë një pjesë të mirë të punës. Me rrjetin e ri ABC nuk do të kemi më transformatorë në asnjë fshat. Kemi garantuar shërbimin shëndetësor parësor, padyshim që duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë, edhe duke shtuar numrin e mjekëve dhe të infermierëve, por mos të harrojmë që e gjetëm pagën e infermierëve 300 mijë lekë, ua kemi çuar 600. Natyrshëm që nuk konkurrojmë dot me Gjermaninë se kush thoshte njëri që jemi të dytët pas Gjermanisë, ka dalë në pension dhe nuk kthehet më. Është shumë e rëndësishme që të bashkohemi, t’i lëmë mënjanë partizat e vogla, kafet e Monika Kryemadhit, por kësaj radhe t’i japim votën Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.”, përfundoi Balla.

Top Channel