Vaksinimi çliron edhe maturantët/ Rikthimi në klasa i riktheu edhe jetën sociale të shkollës

14/04/2021 12:14

Prej gati 2 javësh edhe maturantët e zonave të kuqe janë rikthyer në shkollë, me vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Konsultimet kanë filluar. Së shpejti nisin edhe testet e para maturës. Po si ndihen veçanërisht maturantët tani që janë vaksinuar stafet pedagogjike, gjyshërit dhe së shpejti edhe prindërit?

“Sigurisht që jemi më të lirshëm në klasë. Konsultimet bëhen më me lehtësi. Ka edhe një jetë sociale më të çlirët, se para disa kohësh. E kjo gjë, për fat të mire, për shkak të vaksinimit. Shyqyr që njerëzit që kemi në shtëpi, janë më të sigurtë. Me këtë ritëm vaksinimi turizmi do të jetë siç ka qenë para shumë vitesh. Do jemi më të lirshëm, me një jetë sociale normale. Besoj që drejt normales do të shkojmë së shpejti. Aplikimet për universitet I kam filluar shumë herët. Madje jam pranuar në disa universitete jashtë vendit

Nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh. Mua njëlloj më duket, thjesht kur nuk ishin vaksinuar zyshat mësimin e bënim online, ndërsa tani po e zhvillojmë fizikisht.

Do fillojnë të hapen lokalet, në verë do të jetë më lirshëm, nuk do të ketë më masa kaq të shtrënguara. Dritën në fund të tunelit kemi filluar ta dallojmë. Duhet të jemi optimistë, normal që do ta shohim shumë shpejt. Unë do të studio për arkitekturë, këtu në vendin tim.

Jemi më të mbrojtur, përderisa jemi në një ambjent të mbyllur me më shumë se 14 vetë brenda. Zyshat që janë vaksinuar na japin siguri.

Tani jemi më të sigurtë për familjarët tanë. Nuk e kemi më sikletin e prindërve, mund të shkojmë në shtëpi më të qetë. Dhe orari i qëndrimit jashtë është zgjatur. E kjo është për shkak të vaksinimit. Mosha më e riskuar është hequr.
Mendoj se vera do të jetë prapë e mbyllur, me kufizime, por do t’ja kalojmë më mirë se vjet, sepse nuk do të jemi në karantinë”, shprehen maturantët.

Top Channel