Kryetarja e partisë “Lëvizja për Ndryshim”, shprehet e bindur kur thotë se Partia Demokratike nuk i fiton zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
E ftuar në emisionin “Top Talk”, Topalli thotë se e djathta nuk i fiton këto zgjedhje, pasi njerëzit janë të zhgënjyer nga PD-ja. “Të gjitha sondazhet e bëra, edhe brenda vetë PD-së, jo vetëm nuk e nxjerrin fitues, por dhe e nxjerrin poshtë rezultateve të vitit 2013, kur ne humbëm zgjedhjet pas 8 viteve në pushtet. Edhe sot, pas 8 viteve, kur kemi një popullsi me varfëri ekstreme, opozita nuk fiton kredibilitet”. Sipas saj opozita është e paqëndrueshme, duke krijuar mosbesim.
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, po ashtu kritikon mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve të PD-së. “Ishte një farsë për të shkuar përsëri te lista e kryetarit. Faktikisht janë te lista e 2017-ës në 80% të rasteve. U shpik një komision, që ishte aplikimi i të kundërtës të asaj që tha”.
Topalli shton se qytetarët janë të zhgënjyer nga të tre kryetarët e partive kryesore dhe kanë nevojë për ndryshim. “Përqindja e njerëzve që nuk bien dakord as me Ramën as me Bashën e Metën po rriten dita ditës. Nëse protestojmë me një votë ndëshkuese, i rrëzojmë të tre, ‘Lëvizja për Ndryshim’ është një alternativë ndaj tre kryetarëve. Ne synojmë të largojmë të tre drejtuesit e forcave politike”.
Madje thotë se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të sjellin surpriza. “Këto zgjedhje mund të sjellin shumë surpriza e befasi. Vendi ka nevojë urgjente për të sjellë ndryshim. Ka nevojë për mos ta lenë më në dorë të tre personave vendimmarrjen dhe rënien ekonomike. Nëse doni ndryshimin, voton i ndryshimin”.
Top Channel