Shqipëria, e treta në Europë për konsumimin e kokainës, si paraqitet situata në vend?

14/04/2021 14:49

Sipas një studimi, Shqipëria është vendi i tretë në Europë për përdorimin e kokainës, ku 2.5% e popullsisë përdorin këtë drogë.

Anglia dhe Spanja janë të parat, me 2.7% të popullsisë, që konsumon kokainë. Fill pas këtyre shteteve të mëdha vjen vendi ynë.

Kokaina hyn te drogërat e shtrenjta, por kjo duket se nuk i pengon shqiptarët ta blejnë. Genc Muçollari, tregon se në qendrën e tij të rehabilitimit janë shtuar personat që kërkojnë ndihmë pasi janë bërë të varur nga kokaina. “Para 2 3 vitesh, kishim një rast në muaj. Vitin e fundit, kemi pasur 2-3 raste në  muaj dhe ne i kemi”.

Sipas tij, nga kosto e lartë e kokainës, përdoruesit kalojnë në stimulantë më të lirë, siç është heroina. “Përdoruesi, i detyruar nga mungesa financiare të kalojë në përdorimin e heroinës. Kokaina është stimulantë efekte të ndryshme nga heroina. Kokaina stimulon organizmin, rrahje të shpeshta, takikardi. Heroina përbën një element krejt të kundërt, tension i ulët, mungesë e frymëmarrjes. Nëse kalon nga kokaina te heroina, ndryshon komplet sjellja e individit. Bëhet një dëm shëndetësor i personit”. Edhe pse është një drogë që kushton ai, thotë se gjenden shumë lehtë, madje “porositen dhe në internet, të vjen me postë te dera”.

Mjeku toksikolog, Tedi Rrudha, po ashtu tregon se janë shtuar pacientët në spitale, që kurohen pas mbidozës nga kokaina. “Pacientët që kërkojnë shërbim në QSUT, janë persona që kanë varësi të kokainës ose që paraqiten me mbidozë të kokainës. Ka një tendencë te të rinjtë, sidomos në grupmoshën 30-40. Zakonisht, vjen një rast në 48 orë, ka ditë që ka më tepër. Janë njerëz që kanë biznese familjare, punë, kanë mundësi ta blejnë, por ka dhe shumë raste që marrin borxh për të blerë kokainë”.

Sipas gazetarit, Adi Pojana, ka një përdorim të theksuar të kokainës. “Të bën përshtypje si konsumohet kaq shumë kjo drogë e shtrenjtë. Varion nga 10.000 mijë lekë. Është alarmante, drogërat gjenden edhe pranë shkollave. Çuna, goca duke ngrënë byrek, thonë hajde i fusim një vizë kokainë”.

Ndërkohë, Arjeta Musliu thotë se e njëjta situatë alarmante është dhe në Kosovë. “Të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, janë të përfshira. Është një nga drogërat më të konsumuara dhe nga politikanët. Të rinjtë e konsiderojnë njëri-tjetrin, të dalë mode nëse nuk konsumojnë heroinë. Te kanabisi, spërkasin dhe kokainë dhe heroinë që t’i nxisin t’i blejnë. Jemi në një situatë alarmante. Po na ikën rinia”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA