Biden përpara sprovës, armiqtë e Amerikës “bëhen bashkë”

14/04/2021 14:42

Bota duket një vend më i rrezikshëm dhe kompleks nga sa ishte tre muaj më parë dhe kjo thotë CNN, i detyrohet pjesërisht faktit që rivalët e Amerikës po e vënë në sprovë komandantin e ri të saj, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara po tërhiqen në konfrontime fuqish të mëdha nga Kina e Rusia; pas goditjes së njërit prej impianteve të tij bërthamor, një sulm ky i atribuar gjerësisht Izraelit, Irani planifikon të pasurojë uranium në nivele më të larta se kurrë më pare; Koreja e Veriut i është kthyer testimit të raketave balistike ndërsa plani i Bidenit
për t’i dhënë fund “një herë e përgjithmonë luftës” në Afganistan brenda shtatorit të këtij viti, i ka shtyrë kritikët të paralajmërojnë se talebanët mund të shkatërrojnë qeverinë e dobët vendase, aleate të SHBA-së.

Limitet e fuqisë së presidentit i nxori në pah edhe grushti i dhunshëm i shtetit në Mianmar, të cilin, sanksionet dhe dënimet e SHBA-së, nuk bënë dot asgjë për ta penguar. Krizat në rritje do të dominojnë dy ditë seancash dëgjimore në Kongresin amerikan, ku do të përfshihen dhe dëshmi të krerëve të agjencive të inteligjencës. Presidenti amerikan e ka bërë të qartë se prioriteti i tij kryesor në këto momente është mposhtja e virusit, ripërtëritja e ekonomisë amerikane dhe farkëtimi i një politike të jashtme të fokusuar tek nevojat e punonjësve të thjeshtë. Megjithatë, sipas ekspertëve, zhvillimet e fundit tregojnë se Biden nuk do të ketë dot luksin të përqendrohet shumë tek sfidat e brendshme, kur edhe ato të jashtmet po shtohen, e nuk është çudi që edhe grumbullimi i trupave ruse në Ukrainë apo provokimet kineze me mbrojtjen e Tajvanit të jenë i disa shenja se kundërshtarët po e bënë në provë presidentin e ri amerikan.

Top Channel