Bizneset hapur deri në ora 22:00/ Një pjesë e vlerëson, të tjerët thonë se përkon me muajin e Ramazanit dhe s’ka ndryshim për ta

12/04/2021 19:35

Prej ditës së hënë ora policore do të zgjatet deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Është ky vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve që ka vendosur të lehtësojë masat kufizuese nisur nga rënia e infektimeve në vend.

E njëjta fashë orari do të vlejë edhe për aktivitetin e bareve e restoranteve. Por si e shikojnë bizneset këtë ndryshim?

Kreu i Shoqatës së bareve e restoranteve Enri Jahaj është skeptik se zgjatja e orës polizore mund të ndikojë pozitivisht te baret dhe restorantet. Ai shpjegon arsyet.

“Lehtësimi i masave vjen në muajin e Ramazanit dhe besojmë se bëhet për ta sepse ne nuk na ndihmon aspak. Për sa kohë që kemi agjërim të njerëzve reflektohet në ulje të konsumimit të alkoolit. Nuk kishte asnjë lloj logjike mbyllja në 8 dhe asnjë masë mbështetëse, ndaj bizneseve. Ishte një amulli siç është edhe sot.

Për ne ora 20:00 apo ora 22:00 janë të dy orare të cunguara. Edhe ne na duhet ta bazojmë biznesin në dy javë sepse jemi të varur nga ndryshimi i masave. Nuk bëjmë dot asnjë plan.”

Por, biznese të tjera e shikojnë me pozitivitet shtyrjen me dy orë të lëvizjes së qytetarëve.

“Sigurisht që ndihmon sepse gjatë kësaj kohe nga kufizimet puna ka rënë pasi njerëzit nuk vinin dot për shkak të masave .Sigurisht që do ndikojë jashtë mase sepse 2 orë nuk janë pak. Ne jemi prekur nga këto kufizime dhe oraret kanë qenë shumë të kufizuar në prenotime dhe në shërbime.” Sipërmarrëse parukiere.

Bizneset deklarojnë se kriza pandemisë dhe vendosja e masave kufizuese i ka vënë në vështirësi të mëdha.

“Biznesi ynë është kthyer në biznes mbijetese dhe nuk është kthyer më në një biznes që ne të kemi mundësi të nxjerrim ato para që kemi investuar dhe nuk bëhet fjalë për investime të reja.” Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve e Restoranteve.

“Do ishte mirë të hapeshin e të bëheshin dasma që këta çifte të martohen në behar dhe ne të kemi punë sa më shumë patjetër.” thotë parukierja.

Masat e reja të komitetit teknik për zgjatjen e fashës orare do të zbatohen për një periudhë kohore 2 javore e më pas në varësi të situatës epidemiologjike dhe ecurisë së vaksinimit do të bëhet edhe rishikimi i tyre.

Top Channel