Një dasëm e munguar prej 10 vitesh, Klajdi dhe Bruno ndezin atmosferën në “Dua të të bëj të lumtur”

10/04/2021 22:40

Shpesh herë kemi dëgjuar për histori dashurie të jashtëzakonshme të cilat kanë nisur vetëm nga një takim i thjeshtë dhe kanë zgjatur me dekada të tëra. E tillë ishte dhe historia e Gazmendit dhe Anit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”. Në studio kishte ardhur Gazmendi, i cili ndau me ne historinë e dashurisë së tij me Anin.

Historia e tyre e dashurisë kishte nisur 10 vite më parë, kur Gazmendi nëpërmjet një shoqërie të përbashkët njohu Anin. Ai tregoi në studio gjithë emocionet e takimit të tyre të parë dhe se si mendimet dhe pikëpamjet e tyre për jetën ishin përputhur menjëherë, ashtu siç ndodh vetëm në dashuritë me shikim të parë.

Por sigurisht që në çdo histori dashurie ka edhe probleme, vështirësi dhe sakrifica, të cilat edhe për Gazmendin dhe Anin nuk kanë qenë të pakta. Të rinjtë kishin vendosur menjëherë që të lidhnin kurorë, por me fillimin e bashkëjetesës kishin lindur edhe problemet e mëdha ekonomike. Këto vështirësi ekonomike kishin ndikuar shumë në jetën e tyre, por pavarësisht pengesave lidhja e tyre nuk ishte lëkundur aspak, madje ishte bërë akoma dhe më e fortë.

Për këtë arsye Gazmendi kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar Anin që nuk e braktisi në momentet më të vështira, por dhe për ta surprizuar atë duke i organizuar dasmën e munguar. “Ani ne të dy e dimë mirë se si i kemi kaluar ato kohë dhe dua të të them që të faleminderit. Por gjithashtu dua që të dish se unë të dua shumë dhe se do të të dua gjithmonë!”,- ishte mesazhi i Gazmendit për Anin.

Nga ana tjetër e studios, Ani tregoi se për ta nuk kishte qenë e lehtë, por me dashuri dhe përpjekje ia kishin dalë mbanë.

Programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte rezervuar disa surpriza të mëdha për Anin, ku një ndër to ishte organizimi i një dasme madhështore. Studioja e programit u shndërrua në një ceremoni martesore, ku çifti bëri premtimet e tyre dhe shkëmbyen unazat. Por surprizat nuk mbaruan me kaq, të ftuar special për ta ishin dy këngëtarët e dashur për publikun, Klajdi dhe Bruno të cilët me energjinë e tyre na dhuruan një atmosferë të vërtetë dasmash me një kolazh këngësh të kënduar live.

FOTO GALERI
6/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA