Jeta shpesh herë na vendos përballë vështirësive nga më të ndryshmet, por nëpërmjet ndihmës së njerëzve të afërm arrijmë që t’i kalojmë. Por ka raste kur pikërisht një person që të jep dije, një mësues mund të kthehet në një njeri aq të dashur për ty, duke të të plotësuar madje edhe dashurinë e prindit.
E tillë ishte dhe historia e Ergitit dhe motrës së tij të cilëve u është dashur të kalojnë sakrifica shumë të mëdha në jetë, ku një ndër to është humbja e prindërve në moshë të vogël.
Ergiti në studio rrëfeu se nëna e tyre ishte ndarë nga jeta shumë vite më parë kur ai kishte qenë fëmijë, por mungesa e saj ishte ndjerë tepër në familjen e tyre. Dhimbja dhe mungesa e saj shtohej çdo ditë e më shumë sidomos për babain e tyre, i cili fatkeqësisht nuk mund të shikonte.
Sipas Ergitit në këto kohë të vështira, atij dhe motrës së tij u kishte qëndruar pranë mësuesja e gjermanishtes, Orjeta, e cila u kishte rrëmbyer zemrat dhe ishte bërë ëngjëlli mbrojtës i këtyre dy fëmijëve. Mësuese Orjeta kur kishte zbuluar se çfarë po përjetonin fëmijët kishte vendosur që tu qëndronte pranë tyre, madje ajo kishte marrë motrën e Ergitit në shtëpinë e saj që të jetonte së bashku me familjen. Fatkeqësisht, kohë më vonë, Ergiti dhe motra e tij u përballën gjithashtu dhe me dhimbjen e humbjes së babait të tyre.
Për këtë arsye Ergiti kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar mësuese Orjetën për çdo sakrificë që kishte bërë për ta, por dhe madje për ta takuar për herë të parë pas 7 vitesh. “U bënë 7 vite që nga hera e fundit që jemi takuar, por të kam thirrur këtu për të të thënë vetëm një fjalë. Faleminderit! Falemiderit që ishe një nënë e dytë për ne!”,- ishte mesazhi që Ergiti kishte për mësuesen e tij.
Nga ana tjetër e studios, mësuese Orjeta e përlotur tregoi momentet e para se si ishte njohur me Ergitin dhe motrën e tij duke thënë: E mbaj mend mirë momentin kur u njoha me vështirësitë që po kalonin Ergiti dhe motra e tij, por ajo që dua të thëm është se këta të dy janë familjarë për mua, një motër e një vëlla të cilët i dua shumë.
Top Channel