Ministrja Manastirliu, kandidate e PS-së në Njësinë 9, Veliaj flet për bllokimin e aeroportit: Nuk ndalen as në situata emergjence

09/04/2021 13:24

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është prezantuar sot në Njësinë 9 në kryeqytet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili drejton dhe fushatën e Partisë Socialiste për të gjithë qarkun.

Duke sjellë rastin e kontrollorëve të aeroportit të Rinasit, Veliaj tha se për shqiptarët po bëhet edhe më e qartë se kush janë njerëzit e punës dhe cilët janë njerëzit e bllokimit.

E gjithë ajo historia e shëmtuar e bllokimit të aeroportit të Rinasit nga njerëz që rrogën fillestare para pandemisë e kishin 4.8 milion dhe me 40% të punës merrnin një pagë të reduktuar 2.5 milion, një gjë jo normale, por sidomos kur afekton dhe një situatë emergjence siç është sjellja e vaksinës është një trishtim i madh. Ndaj unë besoj që në finale këtu nuk është puna e majtë apo e djathtë, por kush janë njerëzit e punës dhe kush janë njerëzit e bllokimit; cilët janë njerëzit që duan t’i çojnë gjërat përpara dhe punojnë me mish e me shpirt për vaksinën, rindërtimin, reformën në drejtësi e për shkollat e reja dhe kush janë ata përça e sundo, thika pas shpine, apo intrigën e radhës. Mbi të gjitha kjo është një betejë midis qytetarisë edhe vulgaritetit, kush respekton rregullat dhe thotë jeta para votave, jo vota para jetës”,u shpreh Veliaj.

Ministrja Manastirliu ka shpjeguar ndërkohë skemën se si do arrijmë te mbulimi tërësor i popullatës me vaksina ndaj pandemisë së Covid 19. “Ne po punojmë, fatmirësisht, falë përpjekjes madhore të Kryeministrit, për të sjellë në një kohë shumë të shpejtë të sasisë së nevojshme të vaksinave në Shqipëri. Padyshim vaksinimi do fillonte me ata që ishin në krye të detyrës, në ballë të përpjekjeve dhe luftës me Covid që ishin mjekët, infermierët tanë në spitalet Covid dhe më tej gjithë personeli mjekësor, mjekët në kujdesin parësor, infermierët gjithashtu më tej me arsimtarët që ishin të dytët dhe tashmë kemi filluar me grupet +70 vjeç, ku jemi në përfundim e sipër. Shpresojmë që ashtu sikur e kemi thënë në objektivin tonë ambicioz, që brenda muajt maj, gjysmë milion shqiptarë të jenë vaksinuar dhe më tej në planin që jemi shpresëplotë që do ta arrijmë, në 14 muaj, apo në pranverën e vitit të ardhëm ne të kemi vaksinuar të gjithë popullatën”, tha Manastirliu.

Kryebashkiaku Veliaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të banorëve të kësaj zone mbi projektin e Bulevardit të Ri të Tiranës, tha se tashmë janë dhënë lejet e para. “Ne kemi përfunduar gjithashtu edhe konkursin, duhet vetëm të shpallim finalistët, por ka qenë kohë pandemie dhe ka qenë e pamundur që 10 finalistët të vijnë për arkitekturën e Bashkisë së re. Ne duam të mbajmë vetëm zyrën ceremoniale në qendër, por ama ne jemi sot qiramarrësi më i madh në Republikë. Bashkia e Tiranës ka me qira rreth 100 zyra në të gjithë territorin”, theksoi Veliaj.

Top Channel