Fisi në Paqësor që adhuronte princin e ndjerë Philip, përgatit ritualin për “pritjen e shpirtit të tij” (fotot)

09/04/2021 21:50

Një fis primitiv në ishujt e oqeanit Paqësor që adhuronte princin e ndjerë britanik Philip sikur të ishte zot, raportohet se po përgatit ritualin e celebrimit të shpirtit të tij, pas vdekjes së sotme në moshën 99 vjeçare, shkruanin mediat britanike.

Rreth 700 banorë aborigjenë të fisit Tanna nderonin mbretërorin britanik prej 50 vitesh dhe raportohet se do të jenë zemërthyer nga humbja e tij.

Fshati i tyre Yaohnanen gjendet thellë në pyjet tropikale të ishullit dhe nuk ka komunikime moderne, kështu që ata me shumë gjasa nuk kanë dëgjuar ende për vdekjen e idhullit të tyre.

Jean-Pascal Wahé, studiuesi i qendrës kulturore Vanuatu, tha për mediat britanike se do të vizitojë së shpejti vendin, për t’i treguar atyre, atë që e gjeti princin Philip.

Ai thotë se me siguri anëtarët e fisit besnik do të nderojnë duken me traditat e tyre vendase, sipas të cilave besohet se shpirti i të ndjerit do të kthehet në “shtëpinë” e tij të vërtetë, në Tanna.

Antropologu Kirk Huffman gjithashtu tha se fisi Tanna do të jenë “të goditur nga dhimbja” por do të mbajnë ritualet e tyre me ceremonitë e vajit dhe të kërcimeve, si homazhe për bashkëshortin mbretëror që kishte qenë mik i tyre.

Besohet gjithashtu se shumica e afeksionit të tyre do të transferohet te i biri i Philip, trashëgimtari i fronit britanik, Princi Charles.

Huffman ka thenë më parë: “Ata po shpresonin që ai të kthehej personalisht, por tanimë do të imagjinojnë shpirtin e të ndjerit që kthehet në ishull”.

Populli Yaohnanen beson se Princi Philip ka ardhur nga shpirtrat e të parëve të ishullit dhe se i vëzhgon ata nga larg për t’i mbrojtur nga rreziqet.

Shumë prej banorëve vendas janë fotografuar më parë me portrete të mbretërorit të ndjerë britanik.

Kur princi Charles bëri një vizitë në ishull në 2018, banorët e nderuan me ceremoni dhe i dhuruan atij një shkop ecjeje për babanë e tij të moshuar.

FOTO GALERI
1/12
Një fis primitiv në ishujt e oqeanit Paqësor adhuronte princin e ndjerë britanik Philip sikur të ishte zot

Top Channel