Ekonomia, shpresë tek vaksinimi/ Tregu ka nevojë të qetësohet, vaksina i jep optimizëm konsumatorëve

09/04/2021 19:49

Vaksinimi në masë i popullsisë shihet shpresa e vetme jo vetëm për dhënien fund të infeksionit, por edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve shpjegon se ecuria me ritmet e duhura të këtij procesi do të krijojë frymëmarrje në tregje, teksa lehtësimi i masave kufizuese shton ai do t’i bëjë më optimistë bizneset e konsumatorët.

“Tregu ka nevojë të qetësohet dhe vaksina jep një lloj optimizmi që njerëzit do të lirohen nga masat kufizuese. Bizneset do të fillojnë të zhvillojnë planet e tyre të investimeve, punëtorët do rikthehen normalisht në fabrika, tregtia ndërkombëtare do marrë një hov tjetër përmirësimi.”

E në fakt, konsumi ka parë një tkurrje të ndjeshme, pasi qytetarët po shpenzojnë gjithnjë e më pak. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Instat për inflacionin që u ndal në 1.2% gjatë marsit.

Kjo normë shpjegon Shkodra tregon gjendjen e vështirë ekonomike edhe pamundësinë e shqiptarëve për të bërë blerje në këtë moment krize.

“Tashmë ne do shikojmë efektet në papunësi, në cilësi në ulje të prodhimit, efektet në mungesën e tregjeve ose humbjen e tregjeve, efekte në likuiditet që pastaj reflektohen në mirëqenien e konsumatorit. Konsumi ka rënë. Ka shumë herë më pak tendencë për të konsumuar edhe pse familjet kanë paguar shpenzimet për virusin edhe pa u rimbursuar. Nga ana tjetër nuk shohim një gjallërim të tregtisë që mund të sjellë një rritje të ekonomisë dhe rritja e ekonomisë prej vërtetë shikohet te konsumi.”

Sipas Arben Shkodrës, pas certifikimit të zgjedhjeve politika duhet të kthejë sytë nga ekonomia dhe biznesi, duke e parë këtë të fundit si një aktor kyç në ringritjen e ekonomisë së vendit.

Top Channel