Gazetarët e Kosovës kanë bërë apel që edhe ata të vaksinohen.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet institucioneve kompetente, në mënyrë që gazetarët në Kosovë, të trajtohen me prioritet kur vjen fjala tek imunizimi i tyre kundër koronavirusit. Ndryshe nga Kosova, disa shtete të rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, kanë nisur që të imunizojnë punonjësit e mediave.

Gazetarët kosovarë kujtojnë se ka qenë edhe rekomandim i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarët që ata të vaksinohen të parët duke marrë parasysh rrezikun me të cilin përballen. Por, deri më tani, vetë gazetarët nuk kanë patur ndonjë njoftim dhe as kërkesë që të vaksinohen kundër koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë,  Arben Vitia, tha për Radion Evropa e Lirë se deri tani nuk ka patur ndonjë ndryshim në planin e vaksinimit, por sipas tij, gazetarët duhet të jenë ndër të parët që duhet të vaksinohen.

Shqipëria ka filluar vaksinimin e gazetarëve të terrenit më 2 prill, e një ditë më vonë ka nisur vaksinimin edhe të punonjësve të policisë. Në Maqedoninë e Veriut, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave, do të vaksinohen në kuadër të fazës së dytë të vaksinimit masiv, ku përfshihen disa kategori të punonjësve që konsiderohen si vende me rrezik të lartë. Për këto kategori janë ndarë 20 mijë doza të vaksinës Spuntik V.

Po ashtu, edhe në Serbi, gazetarët janë duke u trajtuar me prioritet. Në këtë shtet, gazetarët janë vaksinuar menjëherë pas punëtorëve shëndetësorë, bashkë me ushtrinë dhe policinë. Gazetarët janë futur në grupet me prioritet për imunizim edhe në Mal të Zi, ku tashmë është duke u bërë vaksinimi i tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA