Vala e tretë e pandemisë në Maqedoninë e Veriut po rezulton më e vështirë nga ajo e para, duke bërë që të shfaqen raste kur gjendja e pacientëve të prekur nga koronavirusi të rëndohet edhe pas ditës së 14 të infeksionit.

Varianti britanik tani po rritet shpejt në vend dhe situata e rënduar ka detyruar qeverinë të marrë masa të reja kufizuese.

Nga sot, në Maqedoninë e veriut nis ndalimi i qarkullimit gjatë natës, nga ora 20:00 e mbrëmjes e deri në 05:00 të mëngjesit. Ndërkohë, të gjitha hotelet, palestrat, etj do të mbyllen ndërsa ndalohet mbledhja e më shumë se 4 personave në një vend.

Të gjitha këto masa do të jenë në fuqi deri më 20 prill. Sipas ministrit të Shëndetësisë, në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipce, ndryshe nga vala e kaluar, tani pacientët po shërohen me ritëm më të ngadaltë madje ka pasur edhe raste ku edhe pas ditës së 14 është përkeqësuar gjendja e pacientëve.

“Kemi pasqyrë klinike të sëmundjes më ndryshe nga e kaluara, kur shtrimi në spital zgjat më shumë. Në dallim nga vala e kaluar ku në ditën e 14 të shërimit pacienti në të shumtën e rasteve shërohej, tani kemi karakteristikë edhe tek pacientët e rinj, përkeqësim në ditën e 12-13 dhe 14 të shërimit, një formë e rrallë, me përkeqësim të pasqyrës së mushkërive dhe gjakut”, ka deklaruar Filipçe.

Versioni britanik po merr hov, andaj jemi të detyruar për masa të reja, të cilat i ndërmorëm në konsultim me institucionet përkatëse, tha kryeministri Zoran Zaev.

Vala e fundit e virusit nuk krahasohet me valët e tjera. Vala e fundit e virusit është shumë më agresive. Në këtë valë po preken edhe brezat e rinj, andaj është shumë e rëndësishme që të kufizohen kontaktet. Apelojmë, qëndroni në shtëpi. Këto masa po i ndërmarrim në prag të festave për të shmangur pasojat më të mëdha dhe që të ulim presionin ndaj punonjësve të Shëndetësisë”, tha Zaev.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, tha ndërkohë se masat kufizuese kanë qenë të paevitueshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Hasani u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër Covid 19 në prag të festave të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA