E gjithë bota tani i ka hedhur sytë nga vaksina, me shpresën se ajo do të bëjë të mundur rikthimin në normalitet. Është diskutuar e ashtuquajtura “pasaportë e vaksinës”, që do të mund të rikthejë udhëtimet mes vendeve që pandemia i detyroi të mbyllnin kufijtë. Por, çfarë mund të bëni pas vaksinimit…?

Ju mund të shijoni organizimet e vogla sërish, mirëpo duhet të vazhdoni të mbani maskën dhe të ruani distancën fizike. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara ka thënë se personat e vaksinuar plotësisht mund të mblidhen pa maska në ambiente të jashtme, me personat e vaksinuar po ashtu.

Ky institucion, përmend se mund të takoheni me personat që nuk janë vaksinuar, por janë të një familjeje dhe nëse ata persona konsiderohet se nuk janë shumë të rrezikuar nga Covid 19, sëmundja që shkakton koronavirusi, transmeton agjencia e lajmeve “The Associated Press”.

Përveç organizimeve të vogla me persona të vaksinuar, apo me anëtarë të një familjeje, të vaksinuarit në SHBA, mund të udhëtojnë pa test në nisje dhe pas përfundimit të udhëtimit brenda SHBA-së, pa iu nënshtruar karantinës por edhe jashtë SHBA-së. Në publik, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që personat e vaksinuar të vendosin maska, të shmangin organizimet e mëdha dhe të qëndrojnë larg të tjerëve.

Një person konsiderohet i vaksinuar, plotësisht dy javë pas pranimit të dozës së fundit të kërkuar të vaksinës. Udhëzimet për aktivitetet tjera për personat e vaksinuar vazhdojnë të jenë me doza kujdesi.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ende nuk inkurajon udhëtimin e panevojshëm, dhe ende nuk ka bërë ndonjë rekomandim për shkuarje nëpër restorante dhe vende tjera. Zyrtarët e këtij institucioni pritet që së shpejti të përditësojnë udhëzimet për të lejuar më shumë aktivitete teksa rritet shkalla e vaksinimit.

 

Top Channel