Nga Njësia 4, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi kandidatin për deputet, Arben Ahmetaj, një nga emrat e rëndësishëm të Partisë Socialiste dhe Ministër për Rindërtimin. Ahmetaj dhe Veliaj iu përgjigjën pyetjeve të ardhura nga rrjetet sociale, mes të cilave dhanë disa lajme të mira për banorët e zonës.
“Njësia 4 në tërësinë e saj është e urbanizuar dhe legalizimet bëhen çdo ditë. Qytetarët përfitojnë çdo ditë nga 30 legalizime në ditë. Kemi një premtim shumë të madh në program, që në verën e vitit tjetër nuk do të ketë asnjë shtëpi të palegalizuar. Për sa i përket rindërtimit, në çadra kemi pasur 11.600 familje, sot janë më pak se 500. Ne po ndërtojmë 5 mijë shtëpi individuale dhe 12 mijë apartamente. Janë 31 kantiere në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti. Po ndërtojmë 160 shkolla në rang kombëtar”, informoi Ahmetaj.
Ai bëri me dije se punimet për lagjen e re “5 Maji” përfundojnë në fillim të vitit 2022. “Rindërtimi tek “5 Maji” përfundon në mars-prill 2022. E them me një lloj emocioni, por edhe me një gjuhë fare të thjeshtë familjare, lum ata që do të marrin e do të jetojnë në shtëpitë te “5 Maji”. Është qendra e Tiranës. Ata që kanë shtëpi të palegalizuara, do marrin shpronësim në metra katrorë 100%”, nënvizoi ai.
Ministri Ahmetaj tha se teksa Basha në programin e tij lehtëson oligarkët, Partia Socialiste do zerojë taksën për t’i ardhur në ndihmë biznesit të vogël.
Kryebashkiaku Veliaj, njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Tiranën, tha se i vjen mirë që infrastrukturën e re dhe investimet e Bashkisë Tiranë i shijojnë edhe kundërshtarët politikë, madje edhe i promovojnë. “Kur miku ynë, Fredi i Partisë Demokratike (Alfred Rrushaj) që kandidon në Njësinë 4, shijon investimet tona, dikur aty njeriu njeriu në llucë, kurse sot zhytet topi në rrjetë. Diferencë shumë e madhe. Unë besoj se edhe kundërshtarët tanë janë më mirë kur qeveris PS, si në bashki, si në qeveri”, u shpreh Veliaj.
Në fund, Veliaj dhe Ahmetaj theksuan se pjesë e programit të PS-së është edhe rritja e ndihmës ekonomike, si në numra të personave që do e përfitojnë, ashtu edhe në shumën e parave.
“Ndihma ekonomike do rritet në numra të përfituesve dhe në masë. Ne kemi futur në program rritjen e pikëzimit, që e hap mundësinë e përfshirjes së më shumë familjeve. Sot minimumi është 53 mijë lekë dhe mesatarja shkon tek 83 mijë lekë dhe maksimalja shkon 120 mijë lekë në muaj. Ne minimumin do ta kthejmë 83-85 dhe maksimumi do kalojë mbi 160-170 mijë lekë”, përfundoi Ahmetaj.
Top Channel