Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri shoqëruar nga kandidatja për deputete Anila Denaj dhe Kryetarja e Bashkisë së Delvinës Majlinda Qilimi zhvilluan një takim me të rinj të qytetit.
“Ka një arsye sot shumë më të fortë për të mbështetur edhe Damianin edhe zonjën Anila dhe për t’i dhënë një votë me një përqindje maksimale. Ne së bashku do t’ja arrijmë! Këtu nisi gara, këtu ku luan edhe skuadra jonë e zemrës me drejtuesin politik të qarkut, që e pati dëshirën e madhe të vinte t’ju takonte”, u shpreh kryebashkiakja Qilimi në fjalën e mirëseardhjes.
Gjiknuri u bëri thirrje të rinjve që të marrin sa më shumë shokë e shoqe për ti bindur të votojnë Partinë Socialistë në 25 Prill.
“Shumë shokë e shoqe të cilët duhet t’i ftoni të bëhen pjesë e jona dhe të votojnë në mënyrë historike për ndryshimin historik që do të ndodh në Shqipëri e në qarkun e Vlorës. Në Sarandë, ne kemi sjellë dy kandidatë shumë të mirë, ministrja e financave që dhe ajo vajzë e re është. Ne kështu i themi tani. Kemi dhe Niko Kurin që vërtetë nuk është i ri por i shërben çdo qytetari dhe në këtë periudhë pandemie ka treguar veten si një mjek humanitar. Denaj është një vajzë profesioniste që ka marrë përsipër të drejtojë financat e vendit dhe një qytetar i Sarandës, një mik i juaji që u ka shërbyer qytetarëve. Kjo tregon vlerat që sjell PS në këtë zone”, nënvizoi Gjiknuri.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, njëkohësisht kandidate për deputete, Anila Denaj shprehu bindjen se Partia Socialiste do të mund të fitojë bindshëm në Delvinë.
“Nuk ka rezultat që nuk arrihet me Partinë Socialiste, nuk ka plan ekonomik apo projekt që nuk bëhët dot për të rinjtë. Më thoni një plan që ka Partia Demokratike për të rinjtë, ndërkohë në planin tonë kemi trajnime për të rinjtë në shumë fusha si marketing, IT dhe për cdo biznes që do të arrijë të japi trajnime në këto fusha do t’i rimbursohen 100% kostot. Edhe ata që sot janë në biznes privat do të kenë një presion të shtuar tek përfaqësuesi i tyre për ti dhënë trajnimin sepse do ja u rimbursojë shteti 100%”, u shpreh Denaj.
Sipas saj, në disa nga bizneset e reja qeveria dhe kryeministri kanë menduar taksa 0 për dy vjet sepse është ajo frika e fillimit. “Nuk ka program ekonomik që nuk mendon të gjithë dimensionin, duke përfshirë të rinjtë në rrugëtimin e tyre të parë.
Ndaj nuk ka zgjidhje më të mirë se Partia Socialiste, se ky kryeministër, që unë kam fatin që kam punuar dhe jam e bindur që vizioni tij është i duhuri për Shqipërinë, jo vetëm në katër vitet e ardhshme por në shumë vite themi Shqipëria 2030 e më tej. Bëni me vlerë datën 25 Prill për të çuar votën patjetër aty ku duhet, për të mos bërë asnjë gabim që të kthehemi mbrapa”, insistoi Denaj.
Top Channel