Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje ditën e sotme anëtarëve të KAS që të marrin një vendim në lidhje me fletën e votimit për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ishte në projektin pilot të votimit elektronik që po zhvillohet në Tiranë.
“Çdo ditë që humbasim në lidhje se si do të jetë forma , ndikon në proces se do të duhet që votuesit të kenë dijeni se si do të jetë fleta e votimit. Nuk e kam pritur që do të kishte kundërshtim se si do të duhej fleta e votimit, por jemi në këtë situatë të shpresojmë që palët ta dinë që është më e rëndësishme koha se sa përmbajtja e fletës.”
“Mund të krijojë vonesë nëse vazhdojmë të humbasim akoma ditë, shpresojmë që të vendosi sot e të ketë një konsensus, e të ketë mbi vendimmarrjen e KAS, ndryshe do të humbasim edhe disa ditë të tjera. Gjej rastin që të bëj një thirrje publike anëtarëtve që ta shqyrtojnë sa më parë, atë që jemi të detyruar ta respektojmë”, tha ai.
Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve sot shqyrton kërkesat ankimore të PD-së, PS-së dhe e Bindjes Demokratike, pasi kundërshtojnë zgjedhjen e fletës së votimit.
Socialistët kërkojnë që kandidatët të identifikohen me numra, ndërkohë demokratët edhe pse morën atë që deshën, një fletë me emra sërish janë të pakënaqur dhe kërkojnë që kandidatët të renditen në kolonë dhe jo horizontalisht.
Fleta e votimit nuk bind as partinë e Astrit Patozit, e cila ka përplasje me Partinë Demokratike sa i takon ngjashmërisë së logos. Bindja Demokratike kërkon në fletën e votimit rikthimin në logon e saj, por demokratët janë kundër.
Top Channel