Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të një lajmi nga Zëri i Amerikës ku thuhet se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, të cilit shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë 110 milionë euro. Rama, ka sulmuar edhe kundërshtarët pasi më herët ka reaguar dhe presidenti Meta dhe PD për këtë çështje.
PD u shpreh nëpërmjet Tabakut se: Këto janë para që dalin direkt nga xhepat e qytetarëve vetëm për shkak të arrogancës dhe arbitraritetit të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.
Ndërsa presidenti Meta ka thënë: E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.
Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.
Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.
Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.
Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.
Vetë Rama thotë se “Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm!”.
Ndërkohë kryeministri bën me dije se “Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!”.
Kryeministri Rama postim ne Twitter:
Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!
Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!
Top Channel