Qeveria turke synon që, deri në fillim të vjeshtës, të vaksinojë 60% të popullsisë kundër kronavirusit.
Por, shumë nga 83 milionë banorët e Turqisë jetojnë në zona rurale dhe disa madje në vende pothuajse të paarritshme. Vaksinimi i banorëve, që jetojnë në fshatra të largëta, është i rëndësishëm, sepse “njerëzit në fshatra jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe nëse dikush këtu ka infeksion, ai do të përhapet shumë shpejt”, thotë mjekja Zenepe Eralp, që është përgjegjëse për misionin e vaksinimit.
“Shumë banorëve nuk u pëlqen të shkojnë në spital në qytetet përreth. Pra duhet të shkojmë ne tek ata”, shton ajo. Disa banorë janë skeptikë për vizitën e mjekëve. “Këtu te ne ka muaj që nuk ka pasur raste me Covid 19”,thonë ata. Para ca kohësh, njeri prej tyre, Ali Kezeri gati i nxori mjekët jashtë, por tani është bindur e po merr dozën e dytë të vaksinës. “Unë fillimisht kisha frikë. Këtu në fshat thoshin se mjekët po vinin për të vrarë të moshuarit. Apo se të moshuarit vdesin nga vaksinimi. Prandaj ne u frikësuam shumë”, citohet të thotë Kezeri, banor i Altinderes.
Qeveria turke e ka bërë të qartë se kujdesi do të jetë për të gjithë. Megjithatë, kritikët thonë se vaksinimi nuk po funksionon aq mirë sa thonë mediat. Autoritetet fillimisht kishin premtuar se deri në maj do të jenë vaksinuar 60 përqind e popullsisë, ndërsa tani thonë se kjo do të bëhet deri në vjeshtë.
Top Channel