Vaksina e Pfizer/BionTech, studimi: 100 përqind efikase tek moshat e reja

01/04/2021 18:02

Pfizeri njoftoi se rezultatet e testeve klinike të vaksinës së tij treguan se ajo është 100% efikase dhe e tolerueshme në moshat nga 12 deri në 15 vjeç.

Gjigandi farmaceutik amerikan thotë se po planifikon t’i përditësojë sa më shpejt të dhënat me Agjencinë Amerikane të ushqimit dhe barnave dhe rregullatorët e tjerë me shpresën se fëmijët do të mund të vaksinohen përpara vitit të ri shkollor.

“Duhet zgjeruar sa më shpejt autorizimi që vaksina jonë të përdoret edhe tek popullata më e re dhe jemi të inkurajuar nga testet klinike mes adoleshentëve”, thanë drejtues të kompanisë. Në fazën e tretë të testimit, nga 2,260 pjesëmarrës të kësaj grupmoshe ne Shtetet e Bashkuara, u vu re se vaksina kishte nxitur prodhimin e antitrupave vetëm një muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Efektet anësore ishin të ngjashme me ato të moshave nga 16 deri në 25 vjeç, dhe kryesisht përfshinin dhimbje në vendin ku bëhet vaksina, temperaturë dhe lodhje. Fëmijët përbëjnë rreth 20% të popullatës amerikane sipas të dhënave qeveritare. Që të arrihet imuniteti i tufës, nga 70 deri në 85% e popullatës amerikane duhet vaksinuar kundër Covid 19.

Top Channel