Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi thotë se Ilir Meta është përfshirë në fushatën zgjedhore, duke hequr dorë nga detyra si president i Republikës.

Çuçi i konsideron të parëndësishme deklaratat dhe kërcënimet e Metës, sepse “nuk flet si president por si politikan”. “Presidenti i Republikës ka ikur nga karrigia e presidentit të Republikës dhe ka zbritur në fushatë. Besoj se kjo është e qartë për të gjithë shqiptarët”.

Sipas ministrit të Brendshëm, deklaratat e Metës, të tilla si “do i pritet dora kujtdo që ndërhyn në votat e zgjedhësve”, janë thjesht deklarata politike. “Duke e lënë postin e presidentit dhe duke hyrë aktivisht në fushatë, nuk na çudisin as deklaratat që janë produkt i fushatave. Jemi mësuar tashmë me të tilla deklarata, janë për konsum ditor të fushatës, kështu që nuk ka asgjë për t’u parë me rëndësi të veçanta, sepse nuk vijnë nga presidenti por nga një prej kryetarëve të forcave politike në Shqipëri”.

Për Çuçin, Ilir Meta ka kohë që ka dalë në fushatë dhe po merret vetëm me fushatë.

Top Channel