Turistë me certifikate digjitale/ Greqia dhe Serbia diskutojnë marrëveshjen, njihen edhe vaksinat ruse e kineze

30/03/2021 00:56

Lehtësimi i fluksit të turistëve midis Greqisë dhe Serbisë gjatë sezonit të ardhshëm të verës ishte tema kryesore e takimit në Beograd të Ministrave të Turizmit të dy vendeve, Haris Theocharis dhe Tatiana Matic që kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi.

Sipas Theoharis, turistët serbë do të lejohen të hyjnë në Greqi që në14 maj dita kur Greqia ka anuncuar hapjen e sezonit turistik, me kusht që ata të kenë ose një çertifikatë dixhitale vaksinimi ose një test molekular negativ ( PCR) ose një vërtetim që kanë kaluar koronavirusin dhe kanë antritrupa.

Për më tepër, qeveria greke ka marrë vendim që do të lejojë hyrjen edhe të atyre personave që në çertifikatat e tyre dixhitale shkruhet se kanë marrë vaksinën ruse apo kineze pavarësisht faktit se ato ende nuk kanë miratimin e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) duke krijuar kështu një precedent edhe për vendet e tjera të Ballkanit që kanë marrë të njëjtat vaksina.

‘Disa nga këto kompani vaksinash kanë bërë kërkesë në BE dhe shumë shpejt do të aprovohen nga Organizmi European i Barnave. Pra përgjigja jonë është e pastër dhe e qartë, do të pranohen këto vaksina, duke shmangur kështu procesin e testeve dhe do të hyjë ky person lirisht në të ashtëquajturën korsinë e gjelbër, duke lehtesuar trafikun në kufij’- tha Haris Theharis, ministër i Turizmit.

Theocharis gjithashtu tha se qeveria greke ka në plan ashtu si edhe me Rumaninë, hapjen e kufirit për serbët, ndoshta para Pashkëve Ortodokse, duke pasur parasysh se programi i vaksinimit po zhvillohet me shpejtësi në Serbi.

Ky planifikim do të aprovohet kur të jenë përfunduar të gjitha procedurat teknike dhe të nënshkruhet një memorandum përkatës. Gjithashtu është rënë dakord se këtë vit turistët serbë do të jenë në gjendje të hyjnë në Greqi përmes dy pikave kufitare në kufirin me Maqedoninë Veriore dhe tre te tjerave me Bullgarinë. Nga ana e saj ministrja serbe ka shtuar se qeveria në Beograd do të lehtësojë udhëtimet jashtë vendit edhe per ata që nuk janë vaksinuar duke siguruar testimin molekular falas.

Top Channel