Top Story/ Nga fshehja e pasurisë e deri të implikimi në botën e krimit të organizuar, ja kush është gjyqtari që u shkarkua nga KPK

30/03/2021 23:56

Një tjetër çift bashkëshortësh në sistemin e drejtësisë është edhe ai i Shkëlzen dhe Rilinda Selimit. Çifti Selimi është përfolur shumë për skandalin që shkatoi pika e tyre e karburantit në Vlorë. Siç rezulton në atë kohë, Shkëlzen Selimi u bë pronar gjatë kohës që ishte gjyqtar në Vlorë. Në deklaratën e pasurisë së tij is- gjyqtari pranonte bashkëpronësinë me partneren dhe blerjen e kësaj pasurie në vlerën e 250 mijë eurove.

Aktualisht ky objekt i paprekshëm vazhdon të jetë nën pronësi të Shkëlzen Selimit si dhe të një kompanie të hidrokarbureve të cilës i ka kaluar gjysma e pasurisë në vitin 2019. Edhe pse dhjetëra biznese u shpronësuan për interes publik për projektin Lungo mare, mes të cilave këshilli i ministrave kishte vendosur të njëjtën gjë edhe për pikën e karburantit, Shkëlzen Selimi fitoi procesin në të treja shkallët e gjyqësorit. Në njërën prej të cilave ishte gjyqtare bashkëshortja e tij dhe në tjetrën, në gjykatën e lartë ai vetë.

Shkëlzen Selimi u diplomua si magjistrat në vitin 2000 sipas CV-së zyrtare dhe ka punuar si gjyqtar për më shumë se një dekadë në Vlorë.
Pasuria e tij familjare u rrit nga 1.6 milionë lekë më 2003 në 58.5 milionë lekë të reja. Mënyra se si ëshët pasuruar kaq shumë ky gjyqtar është e dyshimtë. Por akoma më e rëndë për një gjykatës është kur atij i konfirmohen lidhjet me organizatat kriminale.

Lidhjet që kishte Selimi me botën e krimit u siguruan nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit i cili po asiston Shqipërinë në procesin e vettingut. Ata ndërhynë në proces duke ofruar informacion të marrë nga shërbime të huaja të inteligjencës.

Sipas tyre gjyqtari ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për mosekstradimin në vitin 2015 drejt Italisë të shtetasit Arben Isufaj, i njohur me nofkën Ben Qimja. Ky shtetas është dënuar në vendin fqinj për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Një tjetër dëshmi e sjellë nga Vettingu është se në vitet 2010-2012 subjekti ka përdorur një makinë në emër të shtetasit A.Sh, i cili është dhe shoferi i Ben Qimes. Subjekti sipas KPK-së ka pasur kontakte të papërshtatshme me Arben Isufajn, i cilësuar si anëtar i krimit të organizuar.

Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka raportuar një listë të gjatë me të dhëna që tregonin lidhjet e gjyqtarit me krimin. Në raportin e hartuar Selimi paraqitet si i “papërshtatshëm” për shkak të një seri kontaktesh jo rastësore me përfaqësues të krimit të organizuar.
Gjithashtu kishte dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv në më shumë se një rast, duke e cilësuar gjyqtarin si “një person me tendenca për përfshirje në veprimtari kriminale’ ose që mund te vihet nën presion nga krimi i organizuar.

Me këto të dhëna karriera prej dy dekadash e gjyqtarit Selimi në sistemin e drejtësisë u mbyll më 30 korrik 2018 me shkarkimin e tij nga detyra. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e bëri këtë shkarkim me argumentin se është “i papërshtatshëm” për shkak të një serie lidhjesh me elementë të krimit të organizuar.

Emisioni i plotë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA