Porti turistik i Vlorës/ Qeveria ka shpallur fituesin e koncesionit

29/03/2021 20:19

Qeveria ka shpallur fituesin e koncesionit për ndërtimin e portit turistik të Vlorës.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë fituesit e projektit “Marina Vlorë” janë bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k, “Marina Projects” ltd ,  “Brunes” sh.p.k.  dhe “Ndregjoni” sh.p.k, ku konsorciumi fitues ka ofruar një investim me vlerë 22.8 milionë euro.

Sipas dokumentit të publikuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit  Publik, në garën e shpallur në janar të këtij viti, morën pjesë 3 kompani, ku dy prej tyre u skualifikuan për shkak të mungesës së dokumentacionit si dhe mosplotësimit të kritereve të kërkuara.

Kjo vepër pritet të bëhet pjesë e Master Planit të Lungomares në Vlorës dhe do të ndërtohet në portin ekzistues të mallrave, i cili do të zhvendoset në zonën e Triportit.

Porti i ri turistik i Vlorës pritet të jetë i aksesueshëm gjatë gjithë vitit dhe parashikohet të akomodojë minimalisht rreth 400 anije e jahte.

Koncesioni i Portit të Vlorës ka ardhur si një ofertë e pa kërkuar dhe do të zgjasë për 35-vjet.

 

Top Channel