Prej ditësh anija e mallrave „Ever Given“ ka bllokuar kanalin e Suezit. Tashmë sipërmarrja e lundrimeve detare GAC njofton për përparim në shmangien e havarisë.

Janë shtuar shpresat për lëvizjen e anijes së mallrave „Ever Given” që ka bllokuar prej ditës pas ngecjes në ujë kanalin e Suezit. Sipërmarrja e logjistikës së lundrimit GAC njoftoi, se janë vënë në punë disa rimorkiatorë dhe eskavatorë për të rihapur sa më parë për tregtinë një ndër rrugët më të rëndësishme ujore të botës. Ndonëse anija ende është e bllokuar, tani ka disa „lëvizje të vogla”. Anija 400 metra e gjatë dhe 59 metra e gjerë të martën (23.03) si pasojë e një stuhie shkretëtire doli nga kursi dhe në afërsi të brigjeve ngeci në tabanin e detit. Kolosi 224.000 ton është një ndër anijet më të mëdha të mallrave në botë, që ka bllokuar të gjithë qarkullimin përmes kanalit të Suezit gjatë këtyre ditëve. Gjithsej janë bllokuar 213 anije mallrash me vlerë malli që arrin miliarda dollarë. Edhe sipërmarrjet gjermane druajnë për ngushticë në disa sektorë sa i përket furnizimit të mallit. Admirali Usama Rabi, kryetar i autoritetit egjiptian të kanalit të Suezit, tha se gjatë aksionit të rimorkiatorëve për lëvizjen e anijes luajnë rol një sërë faktorësh, në radhë të parë drejtimi i erës si dhe baticat e zbaticat. Ky është një „mision i ndërlikuar teknik”.

Edhe batica mund të ndihmojë

Sipërmarrja holandeze e konsulencës Smit Savage shpreson, që “Ever Given” në fillim të javës do të mund të lundrojë sërish. „Me anijet tona në vendngjarje, sedimentet e larguara ndërkohë me eskavatorë si dhe me baticën e madhe që mbërrin të dielën (28.03) në mbrëmje shpresojmë që ta lirojmë anijen nga kanali në filim të javës”, tha në televizionin holandez shefi i koncernit më të Smit Savage, Boskalis, Peter Berdowski. Aksioni do të kërkojë ndoshta kohë më shumë në rast se do të duhet të shkarkohen disa kontejerë për ta lehtësuar peshën e anijes gjigante, tha ai. Ndërkohë po instalohet një vinç, për të lëvizur nga kuverta e anijes qindra kontejerë. Bashi i „Ever Given” është ngjeshur tërësisht në rërë, por jo kiçi. Ky mund të shërbejë si levë për ta liruar anijen.

Qarkullimi më i favorshëm për tregtinë

Kanali i Suezit lidh detin Mesdhe me detin e Kuq duke ofruar kësisoj rrugën më të shkurtër detare mes Azisë dhe Europës. Çdo vit përmes kësaj rruge detare lundrojnë rreth 18.000 anije. Në vitin 2019 përmes këtij kanali ka qarkulluar rreth 13 përqind e të gjithë volumit të tregtisë botërore. Ndërkaq kompania e Hamburgut për lundrimet Hapag-Lloyd ka filluar t’i devijojë anijet e veta tregtare në rrugën e tërthortë nga Kepi i Shpresës së Mirë. Lundrimi në këtë itinerar zgjat një javë më shumë se sa përmes kanalit të Suezit. Hapag-Lloyd ka aktualisht pesë anije të bllokuara në kanal. Një problem tjetër është që lundrimi përgjatë brigjeve perëndimore të Afrikës, veçanërisht në gjirin e Guinesë, konsidrohet i rrezikshëm për shkak të sulmeve nga piratët./DW

Top Channel