Java që vjen konsiderohet prej autoriteteve shëndetësore greke, si tepër kritike për rrjedhën e pandemisë, me të dhënat e fundit epidemiologjike që vazhdojnë të jenë përsëri të larta.
Në 24 orët e fundit, Greqia regjistroi 3.133 raste, ndërsa numri i të infektuarve prej fillimit të pandemisë, ka shkuar në mbi 252.000.
Ndërkohë, është regjistruar numër rekord të intubuarish me 728 persona dhe shumica e spitaleve të Athinës nuk kanë asnjë dhomë të lirë për të intubuarit e tjerë dhe është kërkuar kontributi i spitaleve private.
Gjithashtu, rekord për sivjet është shënuar edhe te numri i viktimave, pasi 72 persona kanë humbur jetën, duke e çuar në total numrin e vdekjeve në Greqi nga koronavirusi, në 7826.
Specialistët e pandemisë dhe zyrtarët qeveritare kanë shtyrë edhe për të paktën dy javë masat kufizuese dhe vazhdojnë të jenë të dyzuar nëse do të duhet t’i lehtësojnë ato të paktën deri para Pashkëve, pasi ka vlerësime se mund të rritet numri i viktimave si dhe numri i të shtruarve në spitale.
Ndërsa flitet në dhjetë ditëshin e ardhshëm për një stabilizim të situatës në kulmin valës së tretë të pandemisë, ka shpresa se do të ndryshojnë të dhënat me rritjen e numrit te vaksinimeve dhe përdorimin e gjerë të testeve, që tashmë kërkon të sigurojë qeveria për çdo qytetar, të paktën një herë në javë.
Qëllimi është, që pas hapjes së bizneseve të vogla dhe shkollave, të fillojë veprimtarinë e saj hoteleria, në mënyrë që të jetë gati vendi për hapjen e turizmit në 14 maj, siç është parashikuar nga autoritetet e vendit. Ministri i turizmit ka deklaruar se janë ne zhvillim bisedimet për lejimin e udhëtimeve nga BE, SHBA ,Britania, Izraeli, Serbia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Top Channel