Kurti bën homazhe në Prekaz: Drejtësia për këtë krim të Serbisë, nuk është vënë në vend!

24/03/2021 08:55

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe te Kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, në ditën e shënimit të 22-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve serbe.

Kurti e ka quajtur Prekazin, vend të flijimit dhe të bashkimit.

“Tre breza të Familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo rënia e tyre heroike, e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, e cila më 24 mars të vitit 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal, siç ishte Serbia e (Sllobodan) Millosheviqit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë edhe se “drejtësia për këtë krim të Serbisë, nuk është vënë në vend”.

Njëzetetrevjet më parë, në Prekaz të Skenderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se 50 anëtarë të Familjes Jashari.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana kanë filluar sulmet ajrore të forcave të NATO-s, kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, atëbotë president i Serbisë, është dorëzuar në qershorin e vitit 1999 dhe ka pranuar Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit ka miratuar Rezolutën 1244, përmes së cilës ka vendosur administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe ka fuqizuar praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ka ndërtuar institucionet e veta, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, kanë shpallur pavarësinë e Kosovës.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA