Postimi i parë i bërë nga themeluesi i Twitter-it, Jack Dorsey, i është shitur për 2.9 milionë dollarë një biznesmeni nga Malajzia.
Postimi në Twitter, që ishte: sapo hapa llogarinë time në Twitter, u publikua më 21 mars 2006 dhe u nxor në ankand nga vetë Dorsey për bamirësi.
Blerësi nga Malajzia, Sina Estavi, e krahasoi blerjen e postimit me atë të pikturës së Mona Lizës.
Postimi u ble duke përdorur një kriptomonedhë, rivale të Bitcoin. Ai iu shit si një NFT Estavit, që është shef ekzekutiv i një kompanie teknologjike, Bridhe Oracle. Një NTF është një certifikatë unike digjitale që deklaron se kush e zotëron një foto, një video apo një tjetër formë të medias online.
Çdo NFT është unik dhe shërben si një pronë e koleksionuesit që nuk mund të dublikohet. NFT-të janë bërë shumë popullore këtë vit, me vepra të kushtueshme arti digjitale që shiten në këtë mënyrë. Vetë Dorsey tha se do të konvertonte shumën në Bitcoin dhe më pas do t’ia dhuronte ato fondit Give Directly’s Africa Response.
“Ky nuk është vetëm një postim në Twitter!” shkroi vetë Estavi në platformë. “Unë mendoj se vite më vonë njerëzit do ta kuptojnë vlerën e vërtetë të këtij postimi, ashtu siç ndodhi me pikturën e Mona Lizës”.
Top Channel