“Dritë e zbehtë mbi kodra” është një rrëfim mallëngjyes mbi luftën, vetveten, kujtimet dhe ndjesitë e një gruaje në përballjen me botën e madhe dhe atë më të fshehtën tonën.
“Dritë e zbehtë mbi kodra” (1982) është romani i parë i shkrimtarit nobelist Kazuo Ishiguro, fitues i çmimit Winifred Holtby, dhënë nga Shoqëria Mbretërore e Letërsisë.
Nga mjedisi i qetë dhe i huaj i shtëpisë së saj angleze, Etsuko, një grua japoneze që tashmë jeton vetëm, largon vështrimin nga e tashmja e dhembshme për të kërkuar gjetkë kuptimin dhe arsyen e jetës së saj. E angështuar nga vetëvrasja e vajzës së madhe, ajo kthehet pas me mendje deri në Nagasaki, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në shkretinë e të mbijetuarve, piqej e rritej shtatzënia e saj e trazuar.
Ishte vera e miqësisë së saj të shkurtër dhe enigmatike me Sashikon, fqinjën e saj, dhe koha kur u njoh me të bijën e Sashikos, Marikon, një vogëlushe tejet të traumatizuar. Si një Madam Butterfly, Sashiko pret një dashuri, një nisje që nuk do të mbërrijë kurrë, teksa e bija zhytet në ankthin e kujtimeve tepër të vrazhda.
Përvojat jetësore të dy grave rendin paralelisht me njëra-tjetrën dhe shkrihen njësh, pa e kuptuar se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, përmes kujtesës, që s’mund t’i zësh besë, të Etsukos.
“Dritë e zbehtë mbi kodra” është cilësuar si një roman plot finesë mbi ndrydhjen e emocioneve dhe të ndjenjave, i lidhur ngushtë me rëndësinë e së shkuarës në kuptimin e së tashmes.
Kritika
“Dritë e zbehtë mbi kodra”, një roman delikat, ironik dhe eliptik, që më shumë sesa rrëfen, lë të nënkuptojë.
The New York Times
“Një roman i parë, i shkruar me një delikatesë të pazakontë […] një studim jashtëzakonisht i qetë i trazimeve të skajshme emocionale”.
Times Literary Supplement
“Ishiguro trajton çështjen e kujtesës, vetëmashtrimit […] nëpërmjet një proze të përmbajtur që më shumë fsheh sesa shpjegon apo rrëfen. Kjo sjell një vel misteri dhe tis rreziku”.
Los Angeles Times Book Review
“Duke gërshetuar me mjeshtëri të shkuarën dhe të tashmen, ky roman i parë shpalos një rrëfim dëshpërues dhe trazues, që e mallëngjen lexuesin si për atë çka tregon, edhe për atë çka nuk tregon”.
Library Journal
Kujtimet e Etsukos, ndonëse përqendrohen te vuajtjet dhe marrëzitë e fqinjës së saj, është e qartë se i referohen asaj vetë.
New York Times Book Review
Autori
Sër Kazuo Ishiguro është shkrimtar britanik me origjinë japoneze dhe Laureat i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2017.
Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lëvduar të botës anglishtfolëse: ai është kandiduar katër herë për Man Booker Prize, duke e fituar çmimin në vitin 1989 pikërisht me romanin “Dita e mbetur”. Një tjetër roman i tij “Mos më lër të shkoj”, i ribotuar nga Botimet Pegi në vitin 2017, u shpall nga revista Time si romani më i mirë i vitit 2005 dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923 deri në 2005).
Ishiguro është autor i shtatë romaneve. Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2017, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën.” Botime Pegi ka botuar deri më tani pesë prej librave të tij “Mos më lër të shkoj”, “Dita e mbetur” “Gjiganti i fjetur”, “Artist i botës fluturake” dhe “Dritë e zbehtë mbi kodra”.
Të dhëna për librin
Titulli: Dritë e zbehtë mbi kodra
Titulli në origjinal: A pale view of the hills
Autori: Kazuo Ishiguro
Përktheu: Gentiana Kasemi
Zhanri: Roman
Data e botimit: shkurt, 2021
Numri i faqeve: 228
Çmimi: 1000 lekë
Koleksioni: Nobelistë
Top Channel