Veliaj me sipërmarrësit në Vorë: Zona e Lirë Ekonomike, mundësi. Bizneset e dëmtuara nga tërmeti, do marrin hapësira të reja shërbimesh

22/03/2021 12:19

Të gjitha bizneset që ushtronin aktivitetin në katet e para të pallateve të dëmtuara nga tërmeti, do marrin të njëjtat hapësira edhe në pallatet e reja që po rindërtohen.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të disa bizneseve në Vorë, të cilat shumë shpejt do të bëhen pjesë e Zonës së Lirë Ekonomike, që Bashkia e Tiranës po krijon në zonën e Kasharit, sidomos për sektorin e automotiveve.

Veliaj tha se propozimi për bizneset do i shkojë qeverisë në emër të Shoqatës së Bashkive. “Kemi të njëjtën situatë në Kombinat, ku shumica e kateve të para të ndërtesave të vjetra janë përshtatur si mjedise për shërbime dhe biznes. Propozimi ynë është: kush ka qenë biznes me numër NIPT-i, të trajtohet me hapësira të reja për shërbime.

Ne do ta propozojmë si Shoqatë e Bashkive për të gjtiha bashkitë e prekura nga tërmeti. Nuk është një zgjidhje vetëm për Vorën, por vlen edhe për Kombinatin, Kinostudion, për Shijakun, Rrogozhinën, Thumanën, Krujën dhe Laçin,” tha kryebashkiaku.

Ndërsa, për bizneset që preken nga rindërtimi, Veliaj tha se shkëmbimi do të jetë për metër katror. “Për ata që nuk u prekën nga tërmeti, por janë në gjurmët e ndërtesave të reja që po ndërtohen, do të veprojmë siç po bëjmë në Kombinat dhe “5 Maji”: shkëmbim për çdo metër katror. Pra, në vend që të bëjmë shpronësim, ne bëjmë shkëmbim. Nuk ka rëndësi nëse mjediset janë të legalizuara apo me hipotekë, por për sa kohë që je fakt aty, ne do të bëjmë shkëmbimin për metër katror. Sepse nëse je duke ndërtuar një lagje të re, por aty do lejosh çibanët e vjetër, praktikisht ia ul vlerën e pronës së re që po ndërtohet,” shpjegoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Vora do të marrë një zhvillim shumë të madh me afrimin e Tiranës me Durrësin, por sidomos me krijimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Kashar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA