Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të zgjedhjet Qeveria e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kreun e partisë, Albin Kurtin për postin e kryeministrit. Kurti gjatë paraqitjes së ekspozesë para deputetëve tha se “pandemia mbetet sfida serioze”, duke shtuar se menjëherë do të ketë një plan për të luftuar pandeminë.

“Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë”, tha Kurti.

“Drejtësia, shëndetësia, arsimi dhe ekonomia kanë nevojë për reformë e cila duhet të fillojë shpejt”, shtoi ai.

Në pjesën e politikës së jashtme të vendit, Kurti tha se “aleanca me Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet”.

“Do të punojmë parreshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe pjesë e Bashkimit Evropian sepse ndajmë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfidueseve por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”, tha Kurti.

Politikat e fqinjësisë, sipas Kurtit, do të avancohen mbi bazën e reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë. Ai tha se Kosova do të ngrejë padi për krim dhe gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, ai potencoi se ka çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut.

“Me Serbinë kemi çështje të hapura të cilat duhet të zgjidhen përmes dialogut. Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur”, tha ai duke shtuar se “pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve”.

Kurti prezantoi kabinetin qeverisës të përbërë nga 15 ministri, pesë prej të cilave janë propozuar që të udhëhiqen nga gra.

Kabineti i propozuar nga Kurti

  • Zëvendëskryeministër i parë, për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi
  • Zëvendës Kryeministre e dytë, dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
  • Zëvendëskryeministre e tretë, për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi
  • Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
  • Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
  • Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
  • Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
  • Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
  • Ministër i Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi
  • Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
  • Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci
  • Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj
  • Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
  • Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
  • Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
  • Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
  • Ministër i për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka

Mbajtja e seancës vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 22 mars, ku me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA