Kundër vendimit për tërheqje nga Konventa/ Shpërthejnë protestat në Turqi

21/03/2021 22:40

Mijëra gra dolën në protesta në Turqi kundër vendimit të autoriteteve për tërheqje nga Konventa që synon mbrojtjen e femrave nga dhuna.

Protestueset kërkuan nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan që të kthejë mbrapsht vendimin e tij për tërheqje nga traktati. “Përmbyse vendimin, zbato traktatin!”, thërrisnin ato gjatë marshimit në lagjen Kadikoy, në anën aziatike të Stambollit.

Protestuesit mbajtën portrete të grave të vrara në Turqi, me një mbishkrim: “Janë gratë ato që do të fitojnë këtë luftë”. Protesta të tjera më të vogla u mbajtën në kryeqytetin Ankara dhe qytetin jugperëndimor të Izmirit, sipas raporteve të medias.

Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Europian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave. Qeveria turke shkaktoi zemërim të brendshëm dhe ndërkombëtar pasi shpalli vendimin për tërheqje. Konservatorët në partinë nacionaliste të Erdoganit dhe aleatët e tyre pretendojnë se traktati dëmton unitetin e familjes.

Top Channel