Tërmeti masiv me magnitudë 7.0 shkund ndërtesat dhe jep alarm tsunami pranë Tokios (fotot)

20/03/2021 15:24

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0 ka goditur sot Japoninë duke lëkundur ndërtesat e larta në Tokio dhe duke dhënë alarme për tsunami.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA, i cili bëri matjen e forcës së tërmetit, tha se epiqendra e tij ishte në ujërat 25 km në lindje të Ishinomaki në një thellësi prej 50 km.

Ishinomaki është ishulli pranë brigjeve të prefekturës Miyagi, një prefekturë e dëmtuar rëndë edhe nga tërmeti vrasës dhe tsunami që pasoi në 2011.

Një paralajmërim këshillues u dha për zonën e Miyagi, por zyrtarët atje thanë se fillimisht nuk ka raportime për dëme.

Shërbimi Meteorologjik i Japonisë lëshoi paralajmërimin e tij për tsunami minimal me lartësi deri në 1 m, për prefekturën e  Miyagi menjëherë pas tërmetit, por e tërhoqi pas 90 minutash.

Akira Wakimoto, zyrtar i menaxhimit të krizave në Miyagi tha se ishte në apartamentin e tij kur ra tërmeti dhe ndjeu dhomën të tronditej.

Në qytetin bregdetar Ofunato raportohej se kishte ndërprerje të energjisë elektrike dhe të funksionimit të ashensorëve, por energjia ishte rikthyer dhe nuk kishte probleme të tjera.

Kamerat e sigurisë kishin regjistruar tronditje të forta në të gjithë vendin.

Kompania elektrike japoneze Tohoku (TEPC) ndaloi funksionimin e centralit bërthamor në Onagawa për kontrolle sigurie, njoftonte rrjeti publik NHK.

TEPC tha se po kontrollonte gjithashtu gjendjen e centralit Fukushima Dai-Ichi, i cili është shkatërruar nga tsunami vrasës i marsit 2011.

Tronditjet e sotme ishin ndjerë deri në kryeqytetin Tokio, 400km në jug të epiqendrës.

FOTO GALERI
3/4
Shërbimi Meteorologjik i Japonisë lëshoi paralajmërimin e tij për tsunami minimal me lartësi deri në 1 m

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA