PS dhe PD, përballje e programeve/ Fasonët: PS me shifra konkrete. Me PD kemi rënë dakord në parim

20/03/2021 20:28

Kur ka mbetur pak më shumë se një muaj nga zgjedhjet e 25 Prillit, partitë politike kanë shpalosur programet e tyre për sektorë të caktuar.

Partia Socialiste ka prezantuar tashmë një paketë të dedikuar për manifakturën, që konsiston në dhënien e një garancie sovrane prej 50 mln me 0% interesa, heqjen e tatim fitimit për një periudhë 3-4 vjeçare për amortizimin e pasojave të krizës, si dhe mbulimin e kostove për trajnimin e profesionistëve.

Më i përgjithshëm është plani i PD, që parashikon taksë të sheshtë 9%, ulje të çmimit të energjisë elektrike e karburantit, por pa detajuar instrumente të tjerë mbështetës për këtë industri.

Por, si i shikojnë përfaqësuesit e industrisë fason këto propozime?

Me PD kemi rënë dakord në parim pasi të gjitha kërkesat tona janë të drejta, kurse me PS kemi avancuar sepse mazhoranca ka dalë me një plan konkret me shifra. Këtu kam parasysh garancinë sovrane pa interesa dhe një pikë shumë të rëndësishme që është heqja e tatim fitimit për investimet.” Florian Zekja, përfaqësues i industrisë fason.

“Shpresojmë që këto politika të ndihmojnë në transformimin e sektorit dhe ndryshimin e vizionit. Të mos e shikojnë fasonin si një sektor që do shkojë drejt mbylljes, por ta shikojnë si një  industri që mund të transformohet për të gjeneruar të ardhura dhe nesër të jetë më konkurruese në tregun evropian. Duhet mbështetje për teknologjinë për firmat që bëjnë diversifikim të produkteve apo ndihma për të mbuluar kostot e protokollit të kuq.” Sajmir Bidaj, përfaqësues i industrisë fason.

Në programet e PD dhe PS parashikohet edhe rritja e pagës minimale, përkatësisht në 36 mijë lekë dhe 40 mijë lekë deri në fund të mandatit. Edhe pse nuk janë kundër, përfaqësuesit e industrisë fason vlerësojnë se një masë e tillë rrit kostot dhr duhet të shoqërohet edhe me instrumenta të tjerë mbështetës.

“Padyshim që rritja e kufirit të pagës së tatueshme ndihmon në ulje të kostove. Rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet me politika të tjera të nxitjes së punësimit dhe të formimit profesional, sepse pesha kryesore bie mbi punonjësit e ri. Ne nuk mund të marrim punonjës të rinj që nuk janë të aftë të prodhojnë të ardhura mbi këtë pagë minimale, sepse pastaj mund të kalojmë në informalitet apo dhe në konflikt me punonjësit. Nuk mund të mbajmë një kosto të tjera shtesë.” Sajmir Bidaj, përfaqësues i industrisë fason

“Nëse bëhet një rritje e pagës minimale duhet të shoqërohet me rritjen e tavanit të pagesës për të ardhurat personale. Kontributet dhe pjesa e tatimit mbi të ardhurat përballohen nga punëdhënësi.” Florian Zekja, përfaqësues i industrisë fason.

Índustria fason është një ndër më të goditurat nga kriza për shkak të pandemisë .Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Instat pasi eksportet e këtij grupi u tkurrën me 19.5 milionë euro gjatë 2 muajve të këtij vitit, teksa humbja ishte më e thellë vitin e kaluar me rreth 130 milionë euro.

Top Channel