Prej një jave Edmond Koçi , i njohur ndryshe si Mond Çekiçi po shijonte hapur lirinë që i dha gjykata e cila për akuzën e armëmbajtjes pa leje, e dënoi me kusht duke i hequr në këtë mënyrë masën e arrestit shtëpiak.
Kushti i vetëm që caktoi Gjykata e Durrësit ishte që 40 vjeçari të mos shoqërohej me persona problematike me ligjin. Por siç kuptohet këtë vendim të gjykatës për të dalë nga banesa nuk e shfrytëzoi vetëm Çekiçi, i cili sipas vendimit që Top Channel disponon i provoi prangat për herë të fundit në 24 shtator 2020.
Megjithëse u kap nga policia duke qarkulluar me një motor Honda dhe me vete iu gjet një pistoletë pe leje, 48 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 8800 euro të futura në një zarf, i riu u mbajt në paraburgim vetëm katër ditë. Me argumentin se mund të ishte i infektuar nga covid por pa u vërtetuar asnjëherë, Edmond Çekiçi u dërgua në datën 28 shtator nën arrest shtëpiak.
Siç çmon gjykata , prokuroria kërkoi zbutje të masës së sigurisë duke qenë se i dyshuari ndodhej në spital me simptomat e covidit. Ndonëse në vendim shtohet se dyshimet janë të pakonfirmuara ai nuk u kthye në paraburgim nga gjykata e apelit dhe nga asnjë gjykatë tjetër derisa kundërshtarët e gjetën dhe e qëlluan me breshëri .
Top Channel