Mes acarimeve, Rusia propozon bisedime publike me SHBA për të ruajtur marrëdhëniet

19/03/2021 19:08

Kremlini tha të Premten se oferta e Presidentit Vladimir Putin për të folur në telefon me Presidentin e SHBA Joe Biden kishte për qëllim të parandalonte një keqësim të plotë të marrëdhënieve, pas komenteve të zotit Biden se udhëheqësi rus është një vrasës.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Presidenti Putin e bëri të qartë se “është e logjikshme të bisedohet për të ruajtur marrëdhëniet Rusi-SHBA, në vend që të shkëmbehen akuza”. Zëdhënësi tha se Presidenti Putin dëshiron të ndihmojë në zbutjen e tensioneve pas komenteve të Presidenti Biden, që ai i quajti “shumë të këqija”.

Shtëpia e Bardhë u përgjigj të premten se Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësin rus “kur të jetë koha e duhur”.

Në një intervistë të transmetuar të mërkurën, Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht, kur u pyet nëse mendonte se Putini ishte një “vrasës”. Rusia reagoi, duke tërhequr ambasadorin e saj në Uashington për konsultime ndërsa të enjten Putini theksoi historinë e skllavërisë në Amerikë, masakrimin e amerikanëve indigjenë dhe hedhjen e bombës atomike në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u përgjigj se “atë që thua për tjetrin, e ke thënë për veten”.

Në të njëjtën kohë, Putini vuri në dukje se megjithatë Rusia do të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara sa herë që dhe atje ku ato të mbështesnin interesat e Moskës. Ai tha se “shumë njerëz të ndershëm dhe të mirë në SHBA duan paqe dhe miqësi me Rusinë”.

Ai propozoi një bisedë telefonike me zotin Biden në ditët e ardhshme për të diskutuar mbi pandeminë e koronavirusit, konfliktet rajonale dhe çështje të tjera. Ai sugjeroi që biseda të ishte e hapur për publikun.

Zoti Peskov tha se oferta e Putinit për ta bërë telefonatën publike synonte të mos lejonte që deklarata e Presidentit Biden të shkaktonte dëme të pariparueshme në marrëdhëniet tashme të acaruara.

“Meqenëse fjalët e zotit Biden ishin mjaft pa precedent, edhe formate të tilla pa precedent nuk mund të përjashtohen,” tha zoti Peskov. “Presidenti Putin propozoi ta diskutojë situatën hapur, sepse do të ishte me interes për popujt e të dy vendeve,” tha ai.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të premten se Presidenti Biden “nuk do të tërhiqet…Ai do të jetë shumë i sinqertë dhe shumë i hapur rreth këtyre marrëdhënieve”.

“Presidenti Biden dhe Presidenti Putin kanë këndvështrime të ndryshme të vendeve të tyre përkatëse, por ata janë dakord se ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të punuar së bashku atje ku është në interesin tonë të përbashkët,” tha ajo.

Presidenti Biden po mban një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë. Ai ka thënë se ditët kur SHBA “bënin atë që donte Putini” kanë marrë fund.

Ai madje ka theksuar kontrastin e stilit të tij me qasjen e ish-Presidentit Donald Trump, i cili shmangte konfrontimet e drejtpërdrejta me Putinin dhe fliste shpesh për të me tone miratimi.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden do të vazhdojë të kërkojë bashkëpunim në përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit dhe, më gjerë, përhapjen e armëve bërthamore. Por ajo tha se Presidenti nuk është penduar që iu referua Putinit si vrasës dhe nuk ishte dakord me idenë se një retorikë e tillë ishte e padobishme.

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kishin rënë në nivelet më të ulëta të pas Luftës së Ftohtë me një sërë ngjarjesh, siç ishin aneksimi nga Moska në vitin 2014 të Gadishullin ukrainas të Krimesë, ndërhyrja në zgjedhje, sulmet piraterike dhe, së fundmi, burgosja e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny pas helmimit të tij, për të cilin ai fajëson Kremlinin. Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë akuzat.

Të mërkurën, zyra e drejtorit të inteligjencës kombëtare amerikane publikoi një raport që zbulon se Putini autorizoi operacione ndikimi për të ndihmuar rizgjedhjen e ish-Presidentit Trump. Administrata Biden paralajmëroi se Rusia do të përballet me sanksione së shpejti për shkak të përpjekjes së saj për të ndikuar zgjedhjet dhe për sulmet kibernetike në shkallë të gjerë kundër kompanisë SolarWinds.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndërhyri në polemikë, duke thënë se deklarata e Bidenit për Putinin ishte “e papërshtatshme për një kryetar shteti”.

“Nuk është e pranueshme ose e pëlqyeshme që një kryetar shteti të përdorë një shprehje të tillë kundër kreut të një shteti si Rusia,” u tha zoti Erdogan gazetarëve në Stamboll. Ai vlerësoi përgjigjen e Putinit si “shumë të zgjuar dhe elegante”.

Komentet e zotit Erdogan vijnë ndërkohë që përpjekjet e Turqisë për një përmirësim të marrëdhënieve të saj të trazuara me SHBA mbeten pa përgjigje. Që nga inaugurimi i Presidentit Biden në janar, ai nuk ka patur asnjë bisedë telefonike me presidentin turk./VOA

Top Channel