Një dyshe femrash kanë vrarë një prej ish-të dashurve të tyre dhe me paratë e tij janë nisur në një maratonë pushimesh luksoze, teksa fotot e mburrjes në rrjetet sociale çuan në kapjen e tyre.
Mayra Pereira e Elisangela Abas u arrestuan dje në Curitiba, Brazil ndërsa krahasoheshin nga mediat vendase me protagonistet e filmit “Bonie&Clyde” për arratinë e tyre me paratë e vjedhura, duke i shperdoruar në formë udhëtimesh e pushimesh luksoze.
Pereira dyshohet se ka vrarë ish-të dashurin e saj 60-vjeçar, policin në pension Ricardo Girardi Araujo, ndërsa të dyja në bashkëpunim vodhën paratë e tij për të financuar udhëtimet.
Krimi ka ndodhur më 14 shkurt në Rio de Janeiro ku vajzat janë kapur nga kamerat e sigurisë duke hyrë në shtëpinë e Ricardo kur ai ishte në gjumë, para se Pereira ta qëllonte për vdekje.
Dyshja që besohet se ishin në marrëdhënie intime me njera-tjetren, arratisen më pas me makinën e tij, me armët e paratë me vete. Më pas ato marrin një autobuz për në jug të Brazilit.
Policia gjurmoi dyshen prej fotove të shumta që ato postonin në rrjetin Instagram, ku dokumentohej qëndrimi i tyre në hotele bregdetare e rezorte luksi.
Në fotot e postuara në Instagram, Pereira e përshkruante veten si “influencuese kriminale, ish-e burgosur”.
Në fotot e tyre dy vajzat shiheshin duke pirë në bare ujore, në restorante luksoze dhe në pika të njohura turistike të vendit.
Policia kishte ndjekur vajzat në të paktën 10 hotele ku kishin qëndruar deri në arrestimin e tyre megjithë armën e krimit. Akuzat ndaj tyre nuk janë kompletuar ende prej vijimit të hetimeve.
Top Channel